• |
ide | kryesore

Mandati i Xhaçkës, Lindita Nikolla mbretëresha e sorrollatjes

Arkiva, Lajme, Të fundit
Lindita Nikolla olta xhacka kushtetuese



Shpesh herë mënyra si përdoret gjuha, fjalitë dhe renditja e tyre tregon më shumë sesa gjithçka për qëllimin e atyre që i artikulojnë. Ky përcaktim është i vlefshëm po të lexosh përgjigjen që kryetarja e kuvendit i ka kthyer kërkesës së Gazmend Bardhit për të çuar në kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës.

Pak ditë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, iu drejtua zyrtarisht Kuvendit që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste, i cili nuk zbatohet prej 1 viti e dy muajsh.

LEXO ME TEJ:

Mandati i Xhaçkës/ Njolla e turpit të Gjykatës Kushtetuese

Por është interesante të shqyrtohet teksti që ka hartuar Nikolla, jo për të kuptuar ndonjë gjë, por për të parë se si sorrollatet një çështje:

“Këshilli për Legjislacionin, në zbatim të nenit 14 të Rregullores së Kuvendit, ka marrë në shqyrtim vendimet nr. 1 dhe nr. 2, datë 23.1.2023, të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e deputetes Olta Xhaçka. Këshilli për Legjislacionin në përfundim të diskutimeve për shqyrtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në raportin tij ia adreson çështjen për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes. Sa më lart, në respektim të Rregullores së Kuvendit, kërkesa që ju parashtroni është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve.’- shkruan Nikolla në një tekst që mund të studiohet në shkolla si modeli i sorrollatjes.

Gazmend Bardhi kërkonte në letrën e tij se pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama, epror i saj, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit.

Në janar të vitit 2023 Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së, rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate duke kërkuar që të vendosë për të kundërtën.

Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti me justifikime të ndryshme, ndërkohë që mazhoranca shfrytëzoi krizën e re në Kuvend për shkak të protestave të opozitës, si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, përdori justifikime të ndryshme për mosveprimin. Pasi u justifikua në vjeshtë me axhendën e ngjeshur, në dhjetor kabineti i saj i tha BIRN-it se kjo çështje do të shqyrtohej me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend.

Pas një marrëveshje të arritur mes PS-së dhe grupimit politik që përfaqëson Bardhi këtë muaj, opozita i është rikthyer jetës parlamentare të rregullt. 

©Lapsi.al



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *