• |
ide | kryesore

Fatos Lubonja: Brukseli na serviri një raport të rremë

Arkiva, Kryesore, Lajme

Para disa ditësh, mediet tona u përmbytën nga raporti i organizatës “Freedom House”, i cili u interpretua si një raport negativ, pasi fliste për një Shqipëri që ka bërë vendnumëro.

Pas një jave erdhi Mogerini në Tiranë dhe na dha lajmin e gëzueshëm se jo, kemi bërë “përparime të dukshme”, që justifikojnë rekomandimin për hapjen e negociatave me KE.


Por le t’i krahasojmë këto dy raporte kontradiktore që na vijnë së jashtmi me “raportet”, që bëjnë përditë së brendshmi shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.

Personalisht, pasi e lexova raportin e “Freedom House”, arrita në përfundimin se ai nuk përputhej në shumë pika me realitetin që jetojmë, pasi nuk interpretonte drejt disa nga zhvillimet kryesore në Shqipëri, duke e sfumuar mjaft dramacitetin e tyre.

Le të marr disa nga pohimet kryesore të raportit, që u lakuan nëpër media.

I pari ishte ai, sipas të cilit: “përparimi në reduktimin e kanabisit u zhbë nga zbulimi prej organeve të antikrimit italian se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ishte i lidhur me një rrjet trafikantësh droge.”

Kuptimi i këtij pohimi është se Qeveria dhe Kryeministri kanë bërë punë të mira, që kanë sjellë përparim në luftën kundër kanabizimit, por këto u zhbënë (edhe si perceptim) kur u zbulua se ministri i Brendshëm na paskësh dalë i lidhur me krimin e organizuar. Po a është vërtet kështu? E vërteta që e dinë edhe vetë aktorët në fjalë është se ajo që “Freedom House” e quan “përparim”, ishte një aksion propagandistik fasade në stilin e Edi Ramës, (Lazarati) për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, në mënyrë që t’i hapte më lehtë rrugën lazaratizimit të krejt Shqipërisë. Për shqiptarët, është e qartë se Saimir Tahiri nuk u bë ministër i Brendshëm aksidentalisht, por se u zgjodh nga Kryeministri, pikërisht si njeri i përshtatshëm për këto punë, ashtu sikurse edhe shumë njerëz të tjerë të krimit, që Rama i futi në Parlament apo në krye bashkish të vendit. Provat për këtë janë të shumta dhe të pakundërshtueshme. Le të përmend rritjen më pas në përmasa të papara të kultivimit të kanabisit, faktin se SHIK-u shqiptar ka informuar Kryeministrin e Kryeprokurorin për 128 oficere policie të përfshirë në të gjithë vendin ne kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe ai s’ka vepruar; talljet me akuzat për trafik droge kur aeroplanët që e transportonin këtë i shiste për dezinfektues mushkonjash; mbrojtja ndaj Tahirit nga Kryeministri dhe deputetët e tij etj.. Pra, nuk bëhet fjalë për një hap para dhe një hap mbrapa, siç e përshkruan raporti, por për një strategji për të bashkëpunuar me krimin sëbashku me Tahirin, të cilin, mos të harrojmë, e zbuloi Prokuroria italiane jo ajo shqiptare, e cila e mbrojti kur u denoncua nga Zagani, ashtu siç vazhdon ta mbrojë edhe sot.

Të njëjtin arsyetim meritojnë edhe dy pohime të tjera të raportit të “Freedom House”: ai se “lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës President, ndërkohë që vetë Edi Rama e ka përshkruar atë më herët si simbol të gjithçkaje që është e kalbur në Shqipëri”, si dhe ai se: “zgjedhja me maxhorancë të thjeshtë e Prokurorit të Përgjithshëm minoi seriozisht besueshmërinë e pavarësisë së Prokurorit të Përgjithshëm” duke dëmtuar kësisoj edhe Reformën në Drejtësi.

Ajo që mungon edhe në këto dy pohime të rëndësishme, është shpjegimi se si ka mundësi që edhe paska pasur luftë kundër korrupsionit, edhe është zgjedhur si president, nga vetë luftëtarët ndaj korrupsionit, politikani më i korruptuar; se si ka mundësi që maxhoranca edhe paska punuar për të bërë një Reformë në Drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur, edhe zgjedh dhunshëm si Prokurore të Përgjithshme, pa përfillur frymën e Kushtetutës, një figurë që po tregon dita- ditës se është një ushtare e bindur e një pale? Përgjigjet ndaj këtyre dy pyetjeve për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, janë shumë të thjeshta: së pari, nuk ka pasur kurrë luftë kundër sistemit të korrupsionit përkundrazi ka pasur avancim të tij, ku njeriu më i korruptuar ka qenë dhe mbetet ai që është në krye të sistemit, Kryeministri; dhe, së dyti, zgjedhja në atë mënyrë e Prokurores së Përgjithshme tregon se qëllimi i vërtetë i Reformës në Drejtësi ka qenë heqja e një farë kontrolli, që ruante opozita ndaj drejtësisë dhe kapja e saj plotësisht nga maxhoranca për të shantazhuar e intimiduar kundërshtarët si dhe për t’u mbrojtur nga akuzat e shumta për korrupsion, që kanë arritur nivele të papara. Ngjarjet e fundit në Kukës dhe qëndrimi i Prokurorisë ndaj tyre ishin vërtetimi më i qartë i këtij qëllimi.

Po ashtu, “Freedom House” flet pozitivisht për zgjedhjet e vitit 2017 duke vënë në dukje mungesën e konfliktualitetit dhe moskontestimin e tyre nga opozita. Por raporti ka harruar të verë në dukje se përpara marrëveshjes Rama- Basha, opozita, që ishte në çadër, pretendonte se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira sepse zgjedhjet do të bliheshin (sipas modelit që ishte eksperimentuar në zgjedhjet lokale në Dibër), nëpërmjet parave të oligarkisë dhe ato të trafikantëve të drogës të lidhur ngushtë me pushtetin e Ramës. Dhe situata ishte aq konfliktuale saqë për herë të parë në historinë e këtyre 25 vjetëve, opozita nuk donte të hynte fare në zgjedhje. Fakti që Basha u shtrëngua nga ndërkombëtarët, u josh apo ble nga Rama dhe hoqi dorë nga ky plan dhe hyri në zgjedhje dhe nuk i kontestoi ato, nuk vërteton se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të blera. Po ashtu mungesa e konfliktualitetit nuk është vetëm shenjë e mirë apo ajo mund të jetë edhe rezultat i komprometimit të opozitës, intimidimit të saj nga brenda dhe jashtë si dhe e dobësimit të saj në një regjim ku maxhoranca praktikisht kontrollon gjithçka nëpërmjet lidhjeve së saj me oligarkinë dhe krimin.

Si një provë tjetër se raporti i “Freedom House”, megjithëse kritik, nuk pasqyron dramacitetin e degradimit të vendit, do të evidentoja mospërmendjen askund të dy fenomeneve shumë domethënëse për realitetin shqiptar: ikjen masive jashtë shtetit të shqiptareve vitet e fundit dhe rritjen jashtëzakonisht të madhe të krimit të organizuar shqiptar jo vetëm në Shqipëri (ku nuk matet), por edhe në Europë (ku po matet përditë me shqetësim të madh), pasojë kjo direkt e një procesi degradimi të një ekonomie, që po mbështetet gjithnjë e më shumë te paratë e krimit. Dhe, sigurisht, me një ekonomi kriminale në rritje, nuk mund të flitet për progres dhe as për demokraci.

E megjithatë, ja ku na vjen Mogerini dhe na flet për një përparim të dukshëm, që dukshëm është shpikur në Bruksel. Si ta shpjegojmë këtë shpikje të Brukselit? Një pjesë kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: se ky raport i rremë është punë e Vlahutinit të korruptuar nga mjeshtri i korruptimit të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, Edi Rama. Të tjerë, se kjo punë bëhet për të fshehur dështimin e burokracisë së Brukselit, e cila kërkon të mbajë dhe justifikojë vetveten nëpërmjet këtij zgjerimi. Një pjesë tjetër, se ky është një vendim gjeostrategjik, sepse përndryshe Ballkani mund të bjerë nën ndikimin rus apo të Erdoganit, çka do të ishte me pasoja për Europën. Junkeri, në mbrojtje të kësaj teze, foli edhe për rreziqet që Ballkani të ribjerë në luftëra si në vitet ‘90. Një argument tjetër është ai se hapja ndaj Ballkanit Perëndimor është një strategji e europianistëve ndaj nacionalizmave në rritje në vendet kryesore europiane që kërcënojnë projektin europian. Por këtyre dy argumenteve të fundit iu kundërvu vetë europianisti Makron, sipas të cilit kjo hapje do ta dobësonte më shumë Europën e bashkuar, e cila, më së pari, ka nevojë të forcohet në kufijtë aktualë, që të mund të hapet më pas. Arsyet se pse Brukseli ka hartuar këtë raport të rremë, mund të jenë të shumta. Arsyeja më pozitive që iu ofrua shqiptarëve të zhgënjyer me këtë raport të rremë është ajo që na ofroi edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, se futja në ombrellën europiane do ta bënte më të mundur luftimin e fenomeneve që rreshtova më sipër. Po a është vërtet kështu? Kjo tezë meriton një debat të thelluar si në Shqipëri, edhe në Europë, duke iu referuar edhe përvojave të deritanishme shqiptare dhe europiane, edhe realiteteve që po jetojmë.
Personalisht, gjykoj se të këqijat e këtij raporti të rremë janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave. Argumentet se përse, po i le t’i shtjelloj në shkrimin pasardhës. /panorama.al/

Rama edhe ne sy të Mogherinit aludon për bashkëpunimin e opozitës me forcat anti BE

Spoti TV/ Si po mundohet Rama t’a përvetësojë “suksesin” e BE

 

19 Comments

  1. Vendi me i korruptuar feston celjen e negociatave me nje vjedhje famoze. Tenderi i pajisjeve spitalore i falet hajdutit te perjetshem te aparaturave mjekesore Petrit Vargu. Pronar de facto i firmes Saer ky bandit ka grabitur me shume se 1 milion Euro nga buxheti i shtetit, sigurisht ne bashkepunim me cdo zyrtar te korruptuar te ministrise se shendetesise.

  2. O daku ,harron te permendesh origjinen qe kane autoret e dy raporteve . Kryesorja eshte qe tashme askush nuk e ndal dot vettingun qe do crrenjosi korrupsionin dhe llumin ku noton elita politike ,mediatike dhe ekonomike shqiptare.Te gjithe shqiptaret e ndershem dhe patriote jane ne mbeshtetje te SHBA dhe ambasadorit LU.

  3. Nuk habitesh qe Tosi ashtu si Andi kane lajthitur si Saliu! Te tre mercenare dy te Saliut dhe i treit Brrish i serbeve! Si mundet nje mendje normale te mendoje dhe shkruaje monstruozitete te tilla! Dhe qershine mbi torte ja ve “ari” me komentet e tij! “ari” eshte perfaqesuesi me i denje i Sales dhe Andit!

    1. Ku jeton ti mor idiot, e ku e ka gabim Lubonja? Apo keni frikë se me rënien e edvinit ikni edhe ju rriqnat e politikës.

  4. Ky tipi lubonja te gjitha shpjegimet i ka Ambige…
    njeri shume i dyshimt per ooinionin,ku ka multi nostalgji.pak per turqin ottomane.shume per serbin dhe zero per shqiperin ,kure folet pavarsia e saj ,gjergj kastrioti,nane terza dhe uçk-ja,çka diagnostifikohet me syndromin, syper manipulues mashtrues me publikun……

    1. Ke dalë jashtë teme or rilindas. Lexoje shkrimin,nqs di të lexosh dhe komento se komenti nuk ka lidhje me shkrimin.

  5. Brukseli servir nje politike te rreme, me deklarata te pergjithshme e shabllone qe nuk thone asgje.
    “Kujdes me reformat”, “Ka permiresim por duhet akoma shume pune”, “Bashkepunim mes forcave politike”, “Inkurajojme dialogun politik”, “Ka perparim ne luften kunder korrupsionit, (pastaj) korrupsioni mbetet problemi kryesor”, “Jeni ne rrugen e duhur, por duhet vullnet politik per te cuar perpara reformat” etj, etj…
    Me keto fraza permendesh marrin rroga te majme Mogherinet, Kukanet, Falkenshtajnet, Fajonet, Junckeret dhe me poshte Vlautin and Co.
    Eshte politika arkaike e atij qe akoma quhet Bashkim Europian por qe vetem Bashkim nuk ka me brenda. Ka vetem deklarime bajate pa asgje konkrete, shkaku kryesor qe ka humbur e humb perdite kredibilitet ne vendet akoma anetare te ketij Unioni pa krye!

  6. Lubonja eshte nder te paktet zera racionale qe ia vlen te degjohet e lexohet. Ai sebashku me Shkullakun, Mark Markun, Dash Shehin, Andi Bejtjan e Dritan Hilen, perfaqesojne sot pjesen e pakapur qe percjell me aq sa ka fuqi te verteten perballe nje ushtrie te tere mediatike qe e lufton kete te vertete. Te gjithe keta meritojne nje vleresim jo perse jane ne opozite me individin Rama, por sepse jane ne opozite kundra te keqes qe perfaqeson dhe mbron çdo dite individi Rama.. Ps: Nje pyetje per keta komentuesit me pagese! Ku e keni zyren dhe sa i keni rrogat per punen qe beni? Mbase eshte rroga interesante edhe per ne njerezit e thjeshte qe perballojme kete kohe krizash…

  7. Një nga shkrimet më realiste të Lubonjës.
    E menderos ndonjëherë Lubonja kur përpiqet ti analizoje problemet politike të Shqipërisë, nisur nga paragjykime majtiste me të cilat është edukuar që në fëmini.
    Kur ju largohet këtyre paragjykimeve e i afrohet realiteteve mbështetur në fakte konkrete, bëhet më i besueshëm.
    Për mendimin tim, e gjithë e keqja e politikës qëndron në abuzimet me liberalizmin e nacionalizmin ekstrem.
    Është e kundërta negative e lirive e të drejtave të njeriut, tendenca e liberalizmit ekstrem, siç është e kundërta e atdhedashurisë, nacionalizmi agresiv shovinist. Por këto tendenca abuzive, nuk mund ti njësosh për të gjitha shtetet njëlloj. Ka shtete me potenciale të fuqishme njerzore, ekonomike, politike e ushtarake që i imponohen shteteve më të vogla, e nga ana tjetër ka shtete të vogla që duke i provuar të këqijat e diktaturave apo të imponimit të fuqive të mëdha, ku nuk e mer vesh se ku është “liberalizmi” e ku është “nacionalizmi” e ku janë mundësitë më të mëdha, që e çojnë politikën në drejtim të korrupsionit e krimit.
    Shqipëria e vogël më shumë se cilido vend ish diktatorial komunist, kaloi nga konservatorizmi ekstrem i modelit stalinist diktatorial, në abuzimin me liritë në emër të liberalizmit e demokracisë.
    Shqiptarët nga një popull i cili nuk kishte asnjë të drejtë njerëzore, as të drejtën e pronës e të përzgjedhjes demokratike të lidershipit, por as edhe të drejtën e lirisë së mendimit, kaloi në ekstremin e abuzimeve me liritë.
    Në një kohë të shkurtër pas përmbysjes së sistemit diktatorial një partiak, u kalua në ekstremin e një pluralizmi ekstrem politik, fenomen ky i shprehur jo vetëm në krijimin e qindra partive e partiçkave, por edhe në tendencën e abuzimit me lirinë, për të shkelur lirinë e tjetrit. duke përfituar nga mos ndëshkimi i fjalës së lirë.
    Edhe injorantë gjysëm analfabetë, i japin vetes të drejtën që të bëjnë prokurorin politik, se cili politikan që nuk ju shkon interesave të tyre korruptive, duhet medoemos të burgoset si bandit e kriminel.
    Prirjet liberale në shkelje flagrante të normave elementare të moralit njerëzor e familjar, që i janë dashur mijra vjetë njerzimit për të krijuar vlerat e shoqerisë së emancipuar të ndërtuar me bulzën e saj, familjen, gjoja në emër të lirive demokratike e modeleve “moderne” të jetesës, ju rikthyen si imitim fazës më primitive të njerëzimit, ate të kopeve ku akoma njerëzit rinin të zhveshur , nuk e kishin farë konceptin e familjes, e protagonistë ishin vetëm ata që ishin më të fuqishëm fizikisht, për të imponuar të tjerët me dhunë.
    Në histori, kopetë më të organizuara primitive të njerëzve, janë quajtur “komuna” e nuk është e rastit se edhe fillozofia marksiste u quajt komuniste duke abuzuar me idetë e barazisë primitive.
    Në shekullin e XXI njerëzimi ka arritur të zbulojë ndryshueshmërine e ADN tek të gjithë njerëzit, e ështe e marrëzishme që akoma të shkohet me mendimin se të gjithë njerëzit paskan aftësi biollogjike të njëllojta.
    Është krejtësisht tjetër gjë të respektosh të drejtat e njëllojta për të gjithë njerëzit, e tjetër gjë të njësosh mundësitë e tyre të inteligjencës e aftësive fizike. Ka njerëz me aftësi të kufizuara mendore genetike, por ka edhe gjeni. Shkëncërisht sot mund të behet edhe testimi i shkallës se intelektit tek njerëzit me provën e E QU të shprehur edhe me shifra.
    Veç testimit te energjive negative që sjellin korrupsionin e krimin tek njerëzit, vlerë të madhe në progresin e shoqërise njerëzore do të kishte që të gjithë personat që zgjidhen për të drejtuar një shtet, ti kalojnë “VETINGUT” për matjen e kapaciteteve të intelektit, e kjo jo vetëm për shkencëtarët, por edhe politikanët, njerëzit e mediave e juristët

  8. analizat e fatos lubonjes dhe Probokavija i beogradit mustafa nano,jane betem nje prdhe tymosje per opinionin,se modifikojn dhe trasnformojn te gjithe realitetin.
    por dhe kane zero njofje ne gjeopolitika.

    1. kerkoj falje per gabime teknike ne shkrim.
      vetem munde te shtoje se lubonja,m-nano dhe lerence vangjeli,nuk i takojne dijes dhe botes njerzore,por animale ,dhe taktikt mashtrimi i tyre eshte:
      situatat te tranformojn,tragjiken ne suksese.
      2.sukseset ne kinse fatale.
      3.kjo kategori njerzish kane probleme me identitetin,dhe lufte ne veteveten,çka munde te kaloje ne patologji agoni irreversible.
      kurre nuk kane degjuar nga keta njerze te folet diqka qe apo idee pozitive,por negativet i bejne ne pozitive.
      a,skandalet maskohen.
      ka shqiperia djem me onet e dijetar se keta 3 mikrroba.

  9. Or rrot kari X ,fol mor katunar me gjuhen tende shqipe po e dite ta flasesh(shkruash) , se nuk ke asnji merite ti (si trashegimi genetike) per krijimin dhe perdorimin e atyre fjaleve t psikoanalizes frojdiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu