• |
ide | kryesore

Erion Veliaj, gjeneral dhe ushtar i një pushteti okult

Arkiva, Blog



Në shkollën e komisarëve të policisë në Francë, krahas lëndëve strikt profesionale, zhvillohet edhe një lëndë e quajtur “Politique de la Ville”, Politika e Qytetit. Lënda fillonte me thënien e një sociologu të njohur sipas të cilit “uzurpimi i hapësirave publike për qëllime private, janë shënja e parë e mungesës së civilizimit në një vend”.

Njohuritë e mara në këtë lëndë të mjaftojnë për të kuptuar se Tirana paraqet dy pamje në këtë drejtim: atë publike si konsum thërrimesh për komunitetin e gjerë dhe atë okulte si përparësi ndaj interesava të grupimeve të pushtetit real. Për këtë, Kryetari i Bashkisë mundohet të bindë opinionin se interesat publike të qytetit të tij, materializohen edhe nëpërmjet realizimit të interesave private të individëve ekonomikisht të fuqishëm.

Në fakt, sa herë që flitet për drejtimin e një shteti me metoda të fshehta, pak të qarta për publikun, përgjithësisht politologët përdorin termin kupola shtetërore. Aludimi është i qartë, i mirënjohur. Në fakt, në kushtet e vendit tonë, edhe termi, edhe aludimi janë realë.

Kryetari i Bashkisë si dhe moria e ministrave apo dinjitarëve të tjerë të të njëjtit nivel, janë njerëz me interesa të ndryshme, por gjithmonë ekonomike, që duke mos pasur cilësi të spikatura individuale, tek politika kanë parë një aferë biznesi të mirë për ngjitjen e shkallëve sociale dhe të dominimit, nëpërmjet copëzimit të interesave publike. Ky grupim ndodhet në katet e sipërme të piramidës, por jo në majën e saj. Atje ndodhet vetëm njëshi. Ata nuk kanë autoritetin të ulen bashkë me drejtuesit e piramidave e tjera të pushtetit real për të marrë vendime. Anëtarët e kësaj shtrese qëndrojnë tërësisht në shërbim të majës dhe thirren prej saj një nga një, sipas rastit dhe tematikës që mbulojnë. Janë shumë të kujdesshëm të mos gabojnë në realizimin e detyrave të njëshit se ndryshe zbresin poshtë. Shumë poshtë. Kush më shumë e kush më pak, secili pret radhën të marrë majën e piramidës. Veprimet e tyre sociale kryhen në mënyrë tërësisht të pavarur nga vlerat e saj. Nuk kanë punë me to. Kanë intuitën dhe eksperiencën të bashkohen vetëm me vlera që janë në modë. Me të ikur moda, ndërrojnë tavolinë. Kur marrin urdhërat, kanë për detyrë jo vetëm t’i realizojnë por edhe të dalin në publik e t’i mbushin mendjen këtij të fundit së vendimi është marrë për të mirën e tij.

Ndodh shpesh që kjo shtresë të marë urdhëra edhe direkt nga majat e piramidave të tjera, qofshin kriminale, qofshin ekonomike. Rreth e qark dinjitarëve, rrotullohet shtresa e qindra e qindra klientëve të ndarë sipas feudeve të katit të sipërm dhe që formojnë qytetarët e kategorisë së parë të cilët gëzojnë gjithë mundësitë e një jete tërësisht të paimagjinueshme nga ana e kategorisë së dytë të popullsisë, të reduktuar në raja dhe që mban gjithë peshën e kateve të mësipërme të të gjithë piramidave.

Por cili është roli i Kryetarit të Bashkisë dhe i dinjitarëve të kateve të larta të piramidës?

Në fshatën elektorale të zgjedhjeve lokale, Erion Velija deklaroi se do të ketë ndërtime zero dhe kjo ishte pamja të cilën pushtetit në ardhje e sipër po shpallte në publik. Sot media po ia kujton se nuk e mbajti premtimin. Problemi qëndron nëse Kryetari kishte apo jo kompetencën e duhur për ta bërë këtë premtim. Jo në aspektin ligjor, por në aspektin e pushtetit real. Aspak. Janë majat e piramidave, ekonomike, të dyshimta, sipas rasteve dhe interesave, të lidhura bashkë me piramidën shtetërore ato që vendosin. Nën hijen e tyre, kryetari kujdeset, më pas, për klientët e tij. Poshtërimi që iu bë me kullën tek Qemal Stafa, e cila u ndërtua pikërisht aty ku Kryetari kishte ndërtuar, përuruar dhe reklamuar një parkim, flet shumë për raportin ndërmjet figurës së tij dhe pushtetit të piramidës. Por edhe njëshi e di që ai po rri prapa derës dhe pret momentin të kapë majën e piramidës.

E njëjta mënyrë funksionimi e piramidës së pushtetit, është edhe çështja e Teatrit Kombetar. Kryetari, së bashku me ministren zbatojnë urdhërin.

Të gjithë janë dëshmitarë të një aksioni të përditshëm të pafund të gjelbërimit. Mrekullia vetë. Të shumta edhe donacionet. Kryetari po lodhet kaq shumë për t’i reklamuar, me qëllim që kur të vijë dita e qametit, të ketë ç’të thotë. Të garantojë zgjedhjet e ardhshme. Të shpresojë për majën e piramidës. Aksioni madhështor i mbjelljes së pemëve (edhe ato ndërmjet universitetit dhe Sheratonit) do të jetë justifikimi më i mirë i mundshëm publik, kur piramidat e pushteteve të vërtetë të marrin vendimin, me shumë gjasa, për të ndërtuar disa kulla ndërmjet universitetit dhe gardës. Aty do të priten pemë, pa dyshim, do të kafshohet parku, pa dyshim. Do të ketë pakënaqësi. Parku është kthyer në simbol ku ndahet qytetaria me babëzinë.

Është apo nuk është Kryetari ne dijeni, pak rëndësi ka. Sepse edhe në qoftë kundër, do ta pyesin majat e piramidave? Vendet e lakmuara janë për majat, për qytetarët pemë andej- këtej. Sepse duhen edhe vota. Kur sheh vendet ku po ndërtohen kullat, duket qartë se majat e piramidave kryesore po përgatisin vendin që do të zenë në përjetësinë e Tiranës. Ta prishim trashëgiminë italiane. Ajo është fashiste. Të ngrihemi mbi të.

Kryetari i Bashkisë do të dalë përsëri në ekrane. Si zëdhënës. Do të jetë arrogant, do të shajë kë të mundet dhe do të viktimizojë veten si punëtori më i madh që i ka rastisur Tiranës. Do të qetësojë popullin e Tiranës, se ai bashkë me qindra qytetare të tjerë mbollën mijera e mijera pemë, kurse tani për hir të ca pemëve të plakura, që edhe mund t’i rrëzojë era e të na dëmtojnë ndonjë veteran, nuk duhet të shqetësohemi. Pastaj, me fotokopje dokumentash në duar, do t’u sulet të gjithëve që do ta kundërshtojnë. Konkluzioni mund të ilustrohet nga libri “Rikthimi i Princit, Kriminaliteti i të fuqishmëve në Itali”, shkruar nga prokurorët e antimafias dhe krimit të jakave të bardha, Saverio Lodato dhe Roberto Skarpinato:  “ Nëse shteti lind nga kapërcimi i pushtetit dhe rregullave private nëpërmjet ndërtimit të një enti të lartë, ekulibrues midis pushtetit privat dhe interesave të përgjithshme, shteti vdes ose fillon te vdes kur pushteti privat e absorbon apo e shtrëmbëron sipas llogjikës së tij. Atëhere rruga që do të rregullojë raportet sociale do të jetë larg të qënurit institucionale”.



2 Comments

  1. nuk ka asgje te keqe pushteti absolut jo jo, do presim sa te mesoje surrat pidhi me ramen

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *