• |
ide | kryesore

Diskutohet takimi i parë zyrtar Trump-Putin, por çfarë e vonon?

F1, Planet



Sipas një zyrtari të lartë rus, Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rëndë dakord për kohën dhe vendin e samitit të tyre të parë zyrtar.

Ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov u tha gazetarëve se samiti do të mbahet në një vend tjetër, jo në Rusi apo SHBA. Data dhe vendi i takimit do të shpallen të enjten, tha Ushakov.

Njoftimi pasoi një takim mes këshilltarit amerikan të Sigurimit Kombëtar John Bolton dhe Putinit në Kremlin të mërkurën, ku të dy palët diskutuan mbi samitin, kontrollin e armëve bërthamore dhe çështje të tjera dypalëshe.

Bolton pritet të mbajë një konferencë shtypi në Moskë këtë mbrëmje.

Ishte konfirmimi i parë zyrtar i qëllimit të Shtëpisë së Bardhë për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, i cili e kishte takuar së fundi Trumpin gjatë një G20 kontrovers në korrik të vitit 2017.

Bolton, i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Moskë, Jon Huntsman, u takua edhe me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, ministrin e mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe një këshilltar, Yuri Ushakov, portofoli i të cilit përfshin politikën amerikane.

“Unë duhet të them me keqardhje që marrëdhëniet ruso-amerikane nuk janë në formën më të mirë,” – i tha Putin Boltonit, “dhe unë e kam thënë këtë vazhdimisht në publik dhe po jua them tani: Unë mendoj se ky është kryesisht një rezultat i luftës së brendshme politike akute brenda vetë SHBA-ve”.

Putin shtoi: “Ardhja juaj në Moskë na ka dhënë shpresë që të bëjmë hapat e parë për ringjalljen e marrëdhënieve të plota midis qeverive tona”.

Bolton, një ekspert i politikës së jashtme, u tregua i kujdesshëm në vërejtjet publike ndaj presidentit rus.

Rusia ka thënë se është e hapur për një samit midis Putinit dhe Trump dhe është raportuar se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Kremlinit janë takuar në muajt e fundit për të bërë përgatitjet. Vjena dhe Helsinki janë sygjeruar si vende të mundshme për takimin.

Të dy palët kanë kundërshtuar njëra-tjetrën në shumë çështje, përfshirë ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, konfliktet në Ukrainë dhe Siri, sigurinë kibernetike, politikat e NATO-s dhe armët bërthamore. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë parë gjerësisht si më të këqijat që nga Lufta e Ftohtë.

Bolton ka kërkuar më parë një qëndrim më të ashpër të SHBA-ve kundër Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Por, Trump ka mbajtur një kurs më të favorshëm për Putinin, duke sfiduar politikën e jashtme amerikane ndër dekada, politikë që ka dënuar gjerësisht Rusinë për hakimin e partive politike amerikane dhe përhapjen e informacioneve të gënjeshtërta gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit 2016.

Rusia dhe SHBA-të kanë mbyllur konsullatat dhe kanë dëbuar qindra diplomatë në aksione të fshehta gjatë përplasjes diplomatike të muajve të kaluar.

Trump dhe Putin u takuan dy herë në një takim të G20 në Hamburg vitin e kaluar dhe diskutuan në një darkë ku i parnishëm ishte vetëm një përkthyes rus. Trump tha se krerët diskutuan mbi politikat e adoptimit.

Pritshmëritë për çdo takim midis Putinit dhe Trump janë modeste, veçanërisht sepse një lehtësim i ndjeshëm i sanksioneve për Rusinë, do të kërkonte pëlqimin e Kongresit amerikan, dhe jo vetëm vullnetin e Donald Trump.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *