• |
ide | kryesore

Valleta, hapi i parë drejt idesë së Kukësit për dominim në vend

Sport



Prezantimi në Champions League për Kukësin është më shumë se thjesht objektiv për të kaluar ndonjë tur. Zëvendësimi, i Skënderbeut të skualifikuar, në kompeticionin më të rëndësishëm Europian për klube, është shkalla e parë për verilindorët në tentativën për tu bërë klubi kryesor i vendit. Natyrisht nuk është e lehtë të përsëritet ajo që bënë korcarët, për nga rezultatet në fushë dhe organizimi i klubit, por merkato e bluve është tregues se Kukësi e ka shumë seriozisht.

Peter Pacult shihet nga drejtuesit e klubit si njeriu i duhur për të ndërtuar një skuadër që të dominojë Superioren, por fillimisht duhet të bëjë mirë në Europë, për të përkthyer rezultatet në anën financiare. Nuk është rastësi që pikërisht në sezonin e parë të dënimit të korcarëve e të shpërbërjes së grupit solid të kampionëve presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka investuar fort në skuadër, përpara se të niseshin për të fazën përgatitore në Slloveni. 12 futbollistë të afruar e 9 të larguar, vërtetë mund ti humbasin natyralitetin një skuadre që njihet prej kohësh, por është tregues për porjekt të nisur e që nuk ka qëllim vetëm kalimin e maltezëve të Valleta.

Duhet patur parasysh se këto ndryshime drastike u bënë në skuadrën që e mbylli sezonin e fundit në vendin e dytë. Austriaku ka humbur Gurin që nuk do të donte, ka marrë sulmuesin boshnjak Haris Harba, por që nuk ka kondicion, kështu që do ti besojë Plakut në Loro Borici. Lëvizjet më të mëdha Kukësi i ka bërë në mbrojtje ku titullarë si Alla e Rrumbullaku tani ulen në stol, ndërsa Qaqi, Melo e Zguro janë tre rishtarë që kanë lider kapitenin Shameti. Vetëm 5 lojtarë kanë rezistuar në hierarkitë e Pacult, në krahasim me një sezon më parë, duke pëfshirë edhe portierin Frashëri, që ka fituar për momentin balotazhin me kosovarin Maloku. Krahët ofensivë janë krejt inovative me Cyrbjen e kroatin Spehar, ndërsa lojtari i kombëtares gjeorgjiane Dzaria ai i Kosovës Musolli dhe playmakeri Donjet Shkodra janë parë si pika fikse të një ideje që do të nisë rrugëtimin pikërisht në 11 korrik në Loro Borici kundër maltezëve.

Nuk është ndeshja më e vështirë për blutë, por është hapi i parë për Kukësin drejt projektit për të marrë stafetën e korcarëve e nuk është rastësi edhe kujdesi i verilindorëve për të afruar sa më pranë vetes tifozët e tyre, duke nisur nga ndeshja me Valleta.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *