• |
ide | kryesore

Prapaskena e largimit të Pacult: Përse Kukësi preferoi Cungun…!

Sport



Peter Pacult ndoshta nuk e dinte mirë se tek Kukësi nuk mjafton të kesh 21 vjet në futboll për të vazhduar përpara. Jo se Kukësi ka histori më të madhe se klubet me të cilat ka punuar tekniku austriak, por sepse kuksianët nuk pranojnë zhgënjime të tipit daljen nga Champions në raundin e parë, apo humbjen e një trofeu kundër një skuadre në letër inferiore. Pacult këto me siguri nuk i dinte, ashtu si edhe faktin se dy vjet më parë, kur u shpall kampion Ernest Gjokës i kushtoi pankinën pikërisht eleminimi nga Sheriff Tiraspol në raundin e parë të Champions. Presidenti, Safet Gjici, shquhet për luhatje emocionale në lidhje me drejtimin e skuadrës dhe 0-0 përballë Valetës në Loro Borici dhe një prezantim nën ton i verilindorëve e ka cuar gati në tërbim numrin 1 të klubit, që sheh tashmë ti rrezikohen të gjitha projektet me një humbje në Maltë në ndeshjen e kthimit. Një që e njeh mirë Gjicin e kuptonte se Pacult i kishte ditët e numëruara që kur dështoi në Kupën e Shqipërisë në sezonin e kaluar. Por nëse Gjici mbylli një sy atëherë, sigurisht nuk do ta bënte në një turne ku financiarisht rëndësia është jetike. Pacult nuk bindi, nuk bindi as veten me deklaratat pas ndeshjes, nuk foli as për merkaton, ndoshta duke e kuptuar se ishte fundi.

Armando Cungu trajneri i ri…

Tani, Kukësi kthen vëmendjen tek një njohje e vjetër: Armando Cungu. Tekniku shkodran nuk ka vendosur vetëm firmën, por burime të rëndësishme brenda klubit e quajnë cështjen të mbyllur. Ka rënë dakord Cungu në bisedimet me Presidentin, që kanë nisur menjëherë pas barazimit të të mërkurës me Valetën. Palët janë takuar dy herë dhe janë akorduar në të gjitha detajet, ndërsa zyrtarizimi do të bëhet vetëm të shtunën. Cungu është preferuar nga Kukësi se është një trajner që njeh mirë mentalitetin dhe ambjentin që e rrethon. Shkodrani nuk ka nevojë për kohë të përshtatet, njeh mirë një pjesë të futbollistëve me të cilët ka punuar dhe do të jetë gati për ndeshjen e kthimit në 17 korrik në Maltë shumë më shpejt se cdo trajner tjetër.

Ky është njoftimi i klubit të Kukësit…

FK Kukësi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me trainerin, Peter Pacult.
Dy palët nuk kanë rënë dakort për pretendimet financiare, kështu që klubi i Kukësit, e falenderon për punën e bërë dhe i uron suksese trainerit Peter Pakult, në karrieren e tij të mëtejshme.
Klubi dhe ekipi vijojnë me intensitet punën dhe stërvitjen për të kaluar në turin tjetër të Champions League, dhe nesër do të kemi në drejtimin e ekipin një trainer, që merr përsipër objektivat e klubit dhe ka përvojën dhe profesionalizmin e duhur për të drejtuar FK Kukësin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *