• |
ide | kryesore

Superkupa e Skënderbeut, sinjal për kampionatin

F1, Kryesore, Sport



Sezon i ri, zakon i vjetër; trofeu i parë sezonal është i Skënderbeut, që rrëmben Superkupën e Shqipërisë me fitoren 3-2 përballë Lacit. Por këtë herë situata nuk ishte e lehtë për korcarët, që e kanë patur të vështirë të mbledhin veten nga dënimi i UEFA-s që i rëndon mbi kokë dhe eksodi i lojtarëve më të rëndësishëm, ndaj dhe fitorja ka vlerë edhe më të madhe.

Në Selman Stërmasi është luajtur një ndeshje e mirë, mbi nivelin mesatar, jo vetëm për golat e shënuar. Merita kryesore është e bardhekuqve që ndonëse prapa me përgatitjet në krahasim me Lacin, që ka patur minutat në këmbë që në korrik, i impenjuar në Europa League, ka reflektuar në fushë një kondicion fizik të admirueshëm.

Nuk ishte rastësi përmbysja e avantazhit të kurbinasve, që kur Lushkja zhbllokoi rezultatin e menduan ndeshjen të fituar. Korcarët mund të kenë humbur shumë nga kampionët e tyre në këtë merkato, por ata që janë në klub janë të gjithë me ADN e fituesit dhe kjo u duk që në barazimin e Alitit. Pa harruar se me fanellën bardhekuqe luan edhe një farë Dejvi Bregu: 11 metërsh i fituar, i shndërruar në gol nga Muzaka në të 68, e më pas vlonjati kompletoi debutimin zyrtar me Skënderbeun me golin e tretë, pas vetëm 3 minutash, duke e bërë të pavlerë golin e Xhixhës në fundin e takimit.

Faktet/ Si po vdes dalë ngadalë Skënderbeu kampion

Superkupa nuk është se ka qenë trofeu i preferuar i Skënderbeut edhe në vitet e dominimit në futboll (vetëm dy suksese në këtë kompeticion), por këtë herë korcarët duhet të tregonin në fushë se edhe me vështirësitë e krijuara janë një skuadër për tu respektuar dhe të gjithë duhet ti marrin seriozisht, pavarësisht gjithckaje.

Ka shumë arsye për t’iu gëzuar trofeut të tretë të Superkupës. Bardhekuqtë kaluan një sprovë për kushtet në të cilat ndodhen, ndërsa tekniku Shehi godet në finalen e parë të luajtur jo në portë, por në pankinë. Një lloj hakmarrje madje ndaj kurbinasve të Mergjyshit për atë trofe të humbur në 2015 dhe një pikënisje për kampionatin, ku natyrisht gjërat janë shumë më të komplikuara se një ndeshje 90 minutëshe.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *