• |
ide | kryesore

Rasti i paprecedent, Partizani i bën “ndere” rivalëve të Superiores

F1, Sport



Partizani është i destinuar të jetë pretendent për titull, për histori, për mbështetje, për emër, e për 25 vitet e pritjes për ti parë edhe një herë kampion të kuqtë. Sigurisht që të gjithë e dinë, nga tifozët tek drejtuesit, vetëm se mënyra e funksionimit është e pakuptushme.

Merkato e c’rregullt, lojtarë që vijnë të trumpetuar, por largohen pa lënë gjurmë, akoma dhe më keq pastaj, kur mosmarrëveshjet në një amulli të plotë ku ndodhet klubi në këtë start kampionati e bëjnë të largohen njëri pas tjetrit lojtarë, të cilëve i zgjidhet kontrata me mirëkuptim, duke bërë të mundur kështu përforcimin e kundërshtarëve direkt me minimumin e shpenzimeve (dmth vetëm rrogën e lojtarëve).

Ai që nuk fiton, jo vetëm kaq, por humbet është Partizani, që lëvizjen e fundit flagrante e bëri në ditën e fundit të merkatos. Zgjidhja me mirëkuptim e kontratës së Gerhard Prognit ishte e fundit e llojit. Sulmuesit iu desh vetëm katër orë për të gjetur sistemim në Durrës, aty ku e njihnin mirë aftësinë e 31 vjecarit.

8 gola në 33 ndeshje ka shënuar tropojani me të kuqtë, por me Gegën gjërat ndryshuan. Mund të jetë edhe e vërtetë se sulmuesi zgjodhi të largohet nga Partizani se nuk ishte zgjedhje e parë, por po ashtu e vërtetë është se një klub që kërkon titullin nuk mund të lejojë përforcimin e kundërshtarëve e gratis madje.

Idriz Batha e Blerim Kotobelli po kontribuojnë fort për atë Flamurtar që nën drejtimin e Ilir Dajës konsiderohet për titull. Partizani vetëm i dha viston e largimit. Cani, pasi u pagua pafundësisht shtrenjtë u largua me shumë dëshirë dhe klubi e falenderoi, Abdurrahimi u la i lirë, edhe pse cilësitë teknike të tij kishin bërë tifozët ta mbështesnin deri në fund, e tani edhe Progni me destinacion Teutën.

Klubet e Superiores duhet ta falenderojnë Partizanin për punën që po bën në merkato, në dalje se në hyrje, sulmuesi mbetet imazh idilik në mendjen e Skënder Gegës, që duhet të mjaftohet me Rubin Hebajn e të shpresojë se Cardozo do të rikuperojë shpejt e do të luajë shumë më mirë se sezonin e kaluar. Në të kundërt zgjidhja është e thjeshtë në janar mund ta marrë kush të dojë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *