• |
ide | kryesore

Çfarë ndodh në derbi, mbetet në derbi: Tirana-Partizani sfida që vlen si titulli kampion

F1, Sport



Viti 1947 do të mbetet i fiksuar në histori si edicioni që i dha futbollit shqiptar një dimension të ri. Derbin kryeqytetas. Vitet kanë kaluar, duke shërbyer vetëm për të shtuar dozën e adrenalinës, rivalitetit, por që mes Partizanit e Tiranës nuk ka shkuar kurrë përtej sportivitetit. Kjo është edhe e bukura e përplasjeve në Selman Stërmasi e Qemal Stafa, miq të një qyteti armiq në fushë. Gabim kush mendon se po flasim vetëm për një ndeshje, Tirana-Partizani nuk është kurrë vetëm aq. Eshtë pothuaj e barabartë për titullin.

Nuk ka rëndësi nëse luan për mbijetesë, për kampion, apo sa pikë i ndajnë dy skuadrat: ajo që tifozët nuk falin është humbja në derbi. E këto vitet e fundit Tirana e ka provuar ca si shumë. 150 përballje me Partizanin superior në fitore 62-47 dhe golavarazh 213-164, por kur bardheblutë e të kuqtë të zbresin në fushë për të 151 herë në kampionat, të premten, kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi.

Afrimi i ndeshjes, vigjilja është krejt ndryshe, përjetimi është ankth dhe dëshirë: tifozët e kanë frikë, por deshirojnë njëkohësisht ta afrojnë datën nëse do mundeshin. Qyteti mban frymën, tifozët përgatiten për koreografinë ironike, sarkastike apo krenare për të treguar se qyteti ka ngjyrat e besimit të tyre. Futbolli është fe dhe kurrë mos i thoni të kundërtën atyre që marshojnë drejt stadiumit ditën e derbit. Tirana e Partizani kanë jetuar përmes këtij rivaliteti. Janë rritur, përmirësuar e nuk bëjnë dot pa.

Që nga periudha kur Partizani mori pjesë zyrtarisht në kampionat më 1947 dhe deri tani, i ka munguar divizionit të parë në 5 sezone. Pikërisht këto 5 sezone, ku Tirana nuk ka mundur të marrë ndonjë titull kampion! A nuk është tregues…?



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *