• |
ide | kryesore

Cikloni ‘Zorbas’ i afrohet Greqisë. A rrezikohet edhe Shqipëria? Flet meteorologu

Lajme, Të fundit



Shqipëria nuk rrezikon të preket nga cikloni “Zorbas” që pritet të godasë jugun e Greqisë dhe Turqinë ditët në vijim. Në një intervistë për Ora News, meterologu Metodi Marku sqaron se në këto shtete cikloni mund të shkaktoje edhe përmbytje, ndërsa në Shqipëri do të reflektohet vetëm me reshje lokale në zonën juglindore.

“Pritet të sjellë shqetësime për Greqinë e jugut dhe Turqinë për arsye të shpejtësive të larta të erës që ajo do të gjenerojë gjatë udhëtimit të saj nëpër këto dy vende. Shpejtësia e erës mund të kalojë për momente të shkurta edhe 150 km/h dhe sasitë e reshjeve sidomos në Peleponez, pra në jug të Greqisë mund të arrijnë dhe mbi 200 mm, që do të thotë se ata pritet të kenë shqetësime nga përmbytjet qoftë edhe të lokalizuara. Për Shqipërinë, në luglindje, në qarkun e Korçës mund të ketë reshje por të dobëta dhe lokalisht mesatare”, tha Marku.

Por ndërsa jugu do të përballet me reshje shiu, disa qarqe të vendit rrezikojnë nga zjarret. Më i lartë rreziku paraqitet në Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Fier.

“Shtatori ka qenë tepër problematik krahasuar me muajt e verës, të cilët ishin pothuasje të qetë. Kjo masë ajri e ftohtë që erdhi në vendin tonë u shoqërua dhe me erë të fortë. Shohim zjarre problematikë dhe matanë kufirit tonë, në Mal të Zi dhe Kroaci. Pjesa më e madhe e territorit do të ketë shqetësime por pjesa më shqetësuese do të mbetet sërish veriu i vendit”, tha Marku.

Përgjatë fundjavës temperaturat në të gjithë vendin do të njohin një rritje të lehtë, ndërsa javën e ardhshme pritet rikthimi i reshjeve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *