• |
ide | kryesore

Shqipëria, me Lenjanin e Grezdën, kthehet në origjinë

F1, Sport



Vizita e fundit në Izrael ishte monumentale, por kuqezinjtë shpresojnë të përsërisin, ndoshta jo rezultatin, por misionin, në një ndeshje shumë të rëndësishme për ta. E nga ajo sfidë e një viti më parë, ca gjëra kanë ndryshuar, vetëm se situata është pothuaj identike: edhe atëherë vinim nga një seri negative dhe në Izrael u bë kthesa, edhe tani nuk vijmë nga një moment i bukur dhe në Ber Sheva mund ti japim tjetër rrjedhë sezonit.

Kjo është ajo që shpreson tekniku, Christian Panucci, që duket se ka ndryshuar përsëri ide, duke e kthyer skuadrën në origjinë. Prova e forcës e Izraelit ndaj Skocisë ka bërë që italiani të ndryshojë mendje nga tre mbrojtës, për më tepër që ka marrë garancitë nga lojtarët me pak minuta e që vijnë nga dëmtimet si Mavraj e Grezda se janë gati për 90 minuta.

Fakti që Lenjani ka filluar të luajë titullar në skuadrën e tij ka bërë që tekniku ti besojë krahun e majtë, aty ku fatkeqët Mihaj e Veseli e kanë lënë pa shumë zgjedhje. Lojtari, i aftë të japë kontribut edhe në gjysëmfushën kundërshtare, preferohet ndaj Binakut. Po kështu edhe Grezda e ka fituar me vullnet vendin në formacion. Sulmuesi i Rangers ka treguar lëvizshmëri të madhe në miqësoren me Jordaninë dhe Panucci nuk do të privohet nga aftësia e tij për të kaluar kundërshtarin në një kundër një.

Me këto dy lëvizje, italiani i kthehet skemës së vjetër me emrat e vjetër. Një kombëtare në origjinë, e njëjtë me atë që shkoi të fitonte 0-3 një vit më parë, por me dy mungesat e mëdha Armando Sadiku dhe Odise Roshi, të dy të dëmtuar.

Strakosha kthehet mes shtyllave, do të ketë barrierë përpara Hysajn, Djimsitin, Mavrajn e Lenjanin. Për të vënën nën kontroll teknikën e izraelitëve, Panucci blindohet me pesë mesfushorë, por ku në krahët e tyre janë Grezda e Gavazaj, ndërsa qendra e përhershme me Memushajn, Bashën e Xhakën, për të mbështetur të vetëm në sulm Bekim Balaj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *