• |
ide | kryesore

NATO nis formalisht bisedimet me Maqedoninë ditën e nesërme

Lajme



NATO do të nisë formalisht bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë ditën e nesërme, më 18 tetor.

Këto bisedime do të nisin edhe pse referendumi i 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë (kusht i vënë nga Greqia për të mos e bllokuar rrugën e Shkupit drejt aleancës), nuk e ka kaluar pragun prej 50% për të qenë i vlefshëm.

Mbi 90% e atyre që morën pjesë në referendum, votuan për ndryshimin e emrit në ‘Maqedoni e Veriut’. NATO, megjithatë, e bëri të qartë se marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Athina, edhe nga Shkupi, në mënyrë që Maqedonia të bëhet anëtari i 30-të i aleancës.

Marrëveshjen për ndryshimin e emrit, Maqedonia dhe Greqia e kanë arritur në qershor, në përpjekje për t’i dhënë fund kontestit 27-vjeçar.

Qysh në vitin 1991, kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë, Greqia i ka shkaktuar bllokada diplomatike, duke thënë se me këtë emër, fqinji i saj mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajoni grek që po ashtu quhet Maqedoni.

Bisedimet e pranimit zakonisht zgjasin rreth tre muaj përpara se të nënshkruhet një protokoll i pranimit, shkruan rel. Protokolli pastaj duhet të ratifikohet nga të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s , proces ky që zgjat rreth një vit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *