• |
ide | kryesore

Oruelli kishte të drejtë: “Fjala e lirë është e rëndësishme, por nuk mjafton”

Planet

Ka qenë javë e ngarkuar për atë që dikur e quanim “e vërteta”. Qeveria saudite më në fund e ka pranuar që Xhemal Kashogi është vrarë, edhe pse rrëfimi i tyre nuk është shumë i besueshëm, për shkak të versioneve të ndryshme. Një nga gjërat më ironike është që për të vërtetën e kësaj ngjarjeje varemi nga Erdogani, një nga burgosësit më entuziastë të gazetarëve.

Por të thuash që e vërteta mori fund, është fjali që tingëllon sa historike, po aq dhe naive. Në fund të fundit, na është thënë që “princi duhet të ngjallë edhe frikë, edhe respekt”. (Këtë e ka thënë Makjaveli, jo sauditët). Dhe realistët, që nga ajo kohë, i kanë mëshuar dobishmërisë së iluzioneve dhe gënjeshtrave. Studimet e fundit nga Ezra Zukerman Sivan treguan se një pjesë e madhe e votuesve presin që heronjtë politikë të gënjejnë për interesin e popullit.

Politika, për lojtarët e saj të ashpër, është lojë pushteti. Atyre u duket jo-realiste që politika të varet nga parime të tjera, si e vërteta. Është po ashtu e lehtë të harrosh që edhe e vërteta mund të krijojë ekstreme të vetat. Kjo është vënë në dukje nga Edmund Burke, gjatë Revolucionit Francez. “Fanatikët e fiolozofisë së Francës”, thoshte ai, “e vinin të vërtetën abstrakte si përparësi edhe ndaj drejtësisë, apo ndaj dobive të tjera të përbashkëta, duke krijuar pasoja që ishin të tmerrshme për të gjithë.”

Deklarata të ngjashme u bënë për bolshevikët në shekullin e njëzetë. Kur u kthye nga një vizitë në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1920, Bertrand Rasëll deklaroi se është e rrezikshme që të përdoret politika për ta sponsorizuar të vërtetën për skema zgjerimi, (si teoria marksiste e materializmit dialektik). Ngaqë e vërteta është e pranuar si detyrim në çdo kohë, në çdo vend, politika të tilla marrin shumë shpejt trajtën e një imperializmi agresiv.

Megjithatë, është e lehtë të shqetësohesh nga mendimi se perandoria e së vërtetës po bie. Xhorxh Oruell ishte një nga vërtetat e Kasandrës, por ai nuk e lidhte rritjen e autoritarianizmit me objektivizimin e dogmave. E lidhte me përparimin e relativizmit. Nazistët ishin mëkatarët më të këqij; “Teoria naziste mohon të ekzistojë diçka e tillë si e vërteta. Nuk ekziston ‘shkenca’. Ekziston ‘shkenca gjermane’, ‘shkenca hebreje’, etj.”

Sado që mund të duket si inkoherencë, Oruelli shqetësohej se relativizmi ushqehej nga sëmundja e madhe moderne e nacionalizmit dhe e ndarjes së botës në njësi më të vogla e armiqësore. “Indiferenca ndaj të vërtetës objektive”, ankohej ai, “vjen nga mënyra se si një pjesë e botës izolohet nga pjesa tjetër.”

Pavarësisht përpjekjeve të Kinës, ky lloj izolimi është i vështirë të vihet në zbatim në epokën e internetit. Por, siç kemi parë, fragmentimi në rritje i lajmeve dhe i mediave shoqërore ka prodhuar forma të reja egoizmi, të cilat i qarkullojnë gënjeshtrat me shpejtësi alarmuese. Debatet politike, në kontekste të tilla, nuk e kanë të vërtetën as si qëllim të afërt, as si të largët. Rëndësi kanë metaforat që zgjojnë paragjykime që mund të dëmtojnë kundërshtarin. Ose, siç e thotë Oruell: “E vërteta bëhet gënjeshtër kur fillon ta thotë kundërshtari”.

Oruelli këmbëngulte se ishte iluzion sentimental po të hamendësohej që e vërteta do të mbizotëronte. Viti 1984 ia pret krahët këtij lloji optimizmi. Po ashtu edhe viti 2018. Megjithatë, në këto kohë të errëta vlen të kujtojmë thënien e famshme të Uinston Smith: “Liria është të kesh lirinë të thuash që dy plus dy bëjnë katër. Po të garantohet kjo, të tjerat rrjedhin vetë.”

Thelbi këtu, siç argumentojnë disa, është që duhet të jemi të lirë të themi përfundimet tona, por jo që ato janë të sakta. Por kjo nuk shpreh thelbin e Oruellit. Fjala e lirë është e rëndësishme, por nuk mjafton. Siç na tregojnë çdo ditë manipuluesit në internet, hileqarët kibernetikë, liria e shprehjes është një licencë e rrezikshme kur nuk angazhohet për të thënë të vërtetën. Kjo lloj lirie gërryen vetë lirinë, minon aftësinë tonë për të mbajtur përgjegjësi e për të vënë të tjerët para përgjegjësisë.

Shumë gjëra Oruelli i kishte gabim, por ama kishte të drejtë kur thoshte se kur bota i kthen shpinën të vërtetës, i ka nxjerrë gishtin e mesit lirisë. Por se si duhet ta ligjërojmë këtë fakt, është ende e paqartë. Regjimi saudit sapo ka njoftuar qytetarët se kanë nisur të qarkullojnë “lajme të rreme”. Me miq të tillë, e vërteta nuk ka më nevojë për armiq. /David Dwan, the Guardian. Marrë nga Top Channel

1 Comment

  1. fjala lire tashme eshte gjunjezuar ,raliteti tregon se eshte veshtire te gjeshe njerez te lire mbasi ,padrejtesia ne veprim u kthy ne sistem jete qe ju grabit njerzve do te drejte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu