• |
ide | kryesore

Kukësi kundër precedentëve sezonalë: dy humbje kundër Flamurtarit, por jo këtë herë sipas Hallaçit

Sport



Kukësi viziton Vlorën me një arsenal të ri në organikë e me moralin e fortë nga ardhjet e Valdet Ramës e Olsi Teqjas. Flamurtari nuk duhet marrë lehtë në fakt, për motivin e thjeshtë të precedentëve sezonalë: dy fitore të vlonjatëve në dy ndeshje, 1-0 në shtëpi dhe 1-2 në Kamëz, por në këtë pikë historia pak ka të bëjë. Zëvendës trajner i bluve, Rrahman Hallaci, ka bindjen se nuk është kjo ndeshja ku kanë të bëjnë statistikat, e në rast se fitorja shoqërohet me një ndalesë të Partizanit kryesues, do të jetë akoma më mirë…

“Historia nuk ka të bëjë fare – shpjegoi Hallaci – . Na vjen keq që e nisëm në mënyrën e gabuar vitin, por jemi në një pikë ku nuk na lejohet asnjë gabim. Duhet të marrim rezultatin e duhur, pastaj nëse Partizani ndalon në Kamëz akoma më mirë, por për momentin duhet të shqëtësohemi vetëm për ndeshjet tona”.

Merkato e Bluve është më e spikatura, po të llogarisësh edhe Shkurtajn e Rrocën, por megjithatë barazimi në debutimin e 2019 me Lacin i kompromentoi disi në garën me Partizanin, duke e bërë tashmë sfidën me Flamurtarin për të mos u humbur. Besojnë kuksianët tek titulli, sidomos pas dy goditjeve të fundit dhe kjo ndihet edhe në optimizmin e e ndihmës/trajnerit Rrahman Hallaci.

“Kanë ardhur lojtarë të rinj, por jo për të fryrë skuadrën – tha Hallaci -. Të gjithë e dimë për cfarë lojtarësh bëhet fjalë. Duhet të shkojmë tek titulli dhe është një objektiv që nuk të lë të humbasësh përqendrimin. Merkato jonë meriton notën 10”.

Me 35 pikë, Kukësi ka tashmë një handicap prej 5 pikësh nga Partizani kryesues. Të kuqtë janë të impenjuar me Kamzën në transfertë, por përpara se të shohin ndalesat e kryesusve, kuksianët kërkojnë të marrin fitoren e parë të vitit për ti mbajtur rivalët nën presion.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *