• |
ide | kryesore

Video/ Barazim titulli në Loro Borici: Partizanit i dalin llogaritë për kampion

F1, Sport, Video



Në fund në Loro Borici mbyllet 1-1, që nuk vë vulën, por i jep kreditet e duhura Partizanit të festojë si një fitore dhe ta shohë edhe më pranë kurorëzimit, ëndërrën e mbyllur në sirtar për 26 vjet. Kukësi i debutuesit Ramadan Ndreu dështoi të rihapte kampionatin dhe të mundte një skuadër me 6 mungesa të rëndësishme, me një mesfushë të improvizuar dhe një sulm jo në formën optimale (Bardhi sakrifikoi për të qenë në fushë).

Ishte mbrëmja për të marrë fitoren që do ti mbante në garë kuksianët. Madje në golin e Reginaldos u duk se do të ndodhte pikërisht kështu. Vetëm se Partizani nuk është nga ato skuadra që dorëzohen. Skemat e improvizuara nga tekniku Skënder Gega dhe altruizmi i Jasir Asanit, në bashkëpunimin fëmijëror të Cuculit prodhuan penalltinë, që vendosi barazinë dhe anoi fort titullin në kahun e kryeqytetit.

10 javë nga fundi, 9 pikë diferencë nga ndjekësi më i afërt, pa harruar se në javët e mbetura është edhe Kamza e trepikëshit në tavolinë. Në këtë pikë, Partizani me 27 pikë në lojë duhet të mbrojë avantazhin e krijuar (9 pikë) dhe aspak për tu anashkaluar është e dhënë tjetër, se Kukësin në fazën e katërt do ta presë në shtëpi.

Statistikat janë në favor të kryeqytetasve: në 22 ndeshje në total, katër fitore janë të Kukësi dhe 10 të Partizanit, edhe pse golavarazhi është i përafërt 15-17. Nuk fiton nga 14 prilli 2018, Kukësi përballë të kuqve, kur u imponua 4-0. Më e afërt aroma e fitores për skuadrën e Gegës, fituese 0-1 në 08 tetor 2018. Dy barazime dhe një fitore e të kuqve nuk janë premtuese për një skuadër që duhet të rikuperojë 9 pikë ndaj një rivali që në 26 javë ka pësuar vetëm 4 humbje.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *