• |
ide | kryesore

Grabitja në Rinas, ‘Daja’ nga Kosova kyç gojën para hetuesve

Lajme, Të fundit



Ragip Hajdini, i arrestuari i gjashtë i grabitjes së Rinasit më 9 prill 2019, i njohur me pseudonimin “Daja”, është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Burime bëjnë të ditur për ABC News se kosovari nuk ka pranuar që të flasë para oficerëve të policisë dhe ka qëndruar i heshtur. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia ranë në gjurmët e tij pasi bashkëpunëtori i drejtësisë Alkond Bengasi rrëfeu se e kishte takuar “Dajën” së bashku me Admir Muratajn dhe një tjetër shtetas nga Kosova të njohur për grupin e hetimit si “Tani”.

Ragip Hajdini dyshohet të jetë personi që ka siguruar furgonin që u modifikua në Elbasan me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Gjithashtu sipas burimeve, kosovari së bashku me Admir Muratajn dyshohen që të jenë edhe ata që kanë iniciuar grabitjen.

Por edhe pse policia dhe prokuroria kanë zbërthyer thuajse të gjithë personat e përfshirë në sulmin brenda aeroportit të Rinasit, ende nuk ka asnjë gjurmë nga miliona eurot e grabitura. Vizion Plus mëson se trajektorja që ka përshkruar mjeti ku ndodheshin autorët bashkë me monedhat, është fiksuar deri në digën e rezervuarit të Tapizës.

Menjëherë pasi kryen grabitjen, autorët u larguan nga pista e Rinasit me furgonin me targa AA 248 KE. Por pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, ky furgon u braktis në afërsi të Urës së Tupit në pamundësi për tu djegur, ku u gjend i vrarë edhe organizatori Admir Murataj.

Më pas, kamerat e sigurisë së një servisi kanë zbuluar se furgoni i dytë me të cilin u lëvizën paratë, ishte tip benz me ngjyrë të bardhë, dhe me dy targa të ndryshme. Në pjesën e parë AA 082 AB dhe në pjesën e pasme AB 066 JC.

Nga pamjet rezulton se pikërisht ky furgon ka dalë në aksin Fushë Krujë-Tapizë, e pasi ka ecur në këtë drejtim, autorët janë kthyer majtas në një rrugë rurale. Më pas, itenerari që kanë ndjekur autorët kanë qenë varrezat në anën e sipërme të fshatit, e duke vijuar në rrugën që kalon në fundin e digës së rezervuarit të Tapizës. Por, pavarësisht kontrolleve të shumta të zhvilluara përgjatë 3 javëve, hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë asgjë.

Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në 6, e disa të tjerë janë shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe dy vëllezërit Klement e Eldi Çala.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *