• |
ide | kryesore

Shtypi amerikan zbulon “dritëhijet” e CDU-së: Merkel e pakënaqur me pasuesen e saj

Planet



Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në një artikull të prestigjozes amerikane “Bloomberg”, ku spekulohej mbi një rivalitet të mundshëm me pasuesen e saj në krye të CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer. Sipas “Bloomberg”-ut, Merkel u ka shprehur partnerëve më të ngushtë nga radhët e kristian-demokratëve, pakënaqësinë e saj ndaj lideres së re, duke e etiketuar si “të padenjë”.

Ky raportim që ka për burim informacioni dy zyrtarëve të paidentifikuar, është cilësuar nga kancelarja si “i palogjikshëm”. Përpara se Kramp-Karrenbauer të zgjidhej për të marrë kryesinë e CDU-së, është veçuar si politikanja e parapëlqyer e Merkel-it, e cila e kishte caktuar në postin e Sekretares së Përgjithshme të kristian-demokratëve, detyrë ku shërbejnë kryesisht drejtuesit e ardhshëm të partisë së qendrës së djathtë.

Në zgjedhet europiane të fundjavës së fundit, blloku konservator i Merkelit pësoi rezultatin më të ulët që pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse, unioni mes partive simotra, CDU dhe CSU, arriti të kryesonte me 28.9 për qind të votave, llogaritet një rënie prej 7 % të mbështetjes së elektoratit krahasuar me zgjedhjet e fundit të mbajtura pesë vjet më parë.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *