• |
ide | kryesore

Kandidat për SPAK/ Prokurori i Krimeve të Rënda pa probleme në vetting

Lajme, Të fundit



Prokurori i Krimeve të Rënda, Edvin Kondili, është përballur dje pa probleme me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Sipas relatimit të kryer nga KPK-ja, u bë e ditur se nga hetimi administrativ për Kondilin nuk janë konstatuar probleme për 3 kriteret e rivlerësimit. Prokurori është kandidat për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK), dhe për këtë është hetuar me përparësi nga KPK-ja. Edvin Kondili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004.

Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe punon prej këtij viti pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Edvin Kondili është angazhuar në mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare. Hetimi për Kondilin është kryer për kriterin e pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtinë e figurës, ndërsa trupi gjykues që ka kryer hetimin është përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

SEANCA

Prokurori i Krimeve të Rënda u paraqit i vetëm para treshes së KPK-së, ndërsa në fund shprehu vlerësime për procesin dhe tha se ishte dakord me hetimet e kryera. Ndërkohë, sipas raportit të dorëzuar pranë KPK-së nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, prokurori kishte kryer një deklarim të saktë dhe nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

“Sipas raportit të ILDKPKI, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin. Ka burime financiare për të justifikuar pasurinë, nuk ka fshehur pasurinë, nuk ka deklarim të rremë. Si dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit”, tha relatorja e çështjes, Xhensila Pine. Kjo e fundit, më tej shtoi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kryer një hetim tjetër për pasuritë e deklaruara nga prokurori.

HETIMI

Për apartamentin 86.7 metra katrorë në Tiranë, i blerë për 70 mijë euro në vitin 2012, prokurori ka deklaruar si burim 60 mijë euro kredi të bashkëshortes dhe 10 mijë euro kursime nga pagat. Nga hetimet e kryera nga KPK-ja ka rezultuar se përputhen deklarimet e Kondilit me dokumentacion e administruar në funksion të hetimit. Në vitin 2014, prokurori ka deklaruar një hua të marrë nga kunati për 10 mijë euro. Kondili ka shpjeguar se kjo është marrë për shlyerjen e një pjese të kredisë, por më pas është vendosur të mos përdoret dhe i është kthyer nënës së huamarrësit në vitin 2016. Duke iu referuar hetimit të KPK-së, huadhënësi ka siguruar të ardhura nga punësimi i tij në Spanjë dhe nga hetimi duket se ka të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huas 10 mijë euro. Hetimi është kryer edhe për një makinë tip “Mercedes Benz”, blerë në vitin 2015 në vlerën 500 mijë lekë. Sipas Komisionit, në vitin 2017 është shkëmbyer me një mjet tjetër, duke shtuar edhe 400 mijë lekë.

FIGURA DHE PROFESIONALIZMI

Në lidhje me kriterin pastërtisë së figurës, KPK-ja relatoi se Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport pozitiv për prokurorin, duke konstatuar përshtatshmërinë në vazhdimin e detyrës. “DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti i rivlerësimit është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës”, tha relatorja Xhensila Pine. Kjo e fundit shtoi se, edhe nga verifikimet e kryera nga KPK-ja nuk janë konstatuar të dhëna dhe indicie për të kundërtën e raportit të DSIK. Në lidhje me aftësitë profesionale, Komisioni relatoi se nga dosjet e vëzhguara dhe hetuara rezulton se prokurori Kondili ka kryer saktë kërkesat ligjore, shfaq aftësi në arsyetimin ligjor dhe ka treguar aftësi të mira profesionale. Për Edvin Kondilin janë bërë ti denoncime nga publiku. Por nga verifikimi i KPK-së ka rezultuar se nuk ka indicie dhe të dhëna për veprime korruptive dhe shkelje të etikës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *