• |
ide | kryesore

Ulja e pragut të TVSH-së te biznesi i vogël nxiti evazionin, të ardhurat ranë me 12.7% për 6 mujorin

Arkiva, Lajme, Të fundit



Më se një vit më parë, qeveria mori vendimin që të ulte pragun e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për bizneset nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim preku direkt rreth 13 mijë biznese, që u futën në skemë, ndërsa rreth 60 mijë të tjera ishin potencial për të hyrë, pasi kufiri vjetor i qarkullimit vjetor që të bënte subjekt TVSH-je ishte aq i ulët sa mjaftonte deklarimi i 5,500 lekëve në ditë për të kaluar në TVSH.

Ky vendim u kundërshtua hapur nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohet për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave. Por, qeveria nguli këmbë se arsyeja nuk ishte të rriste barrën për subjektet e vogla, por që të disiplinonte zinxhirin e tregtisë dhe të nxiste lëshimin e faturave.

Një vit më pas, të dhënat e buxhetit faktit tregojnë se shqetësimi i FMN-s dhe ekspertëve u vërtetua, ndërsa tregu jo vetëm nuk u disiplinuar, por përkundrazi evazioni u rrit. Të ardhurat nga TVSH e brendshme për 6 mujorin e parë të vitit ishin rreth 17 miliardë lekë, me një rënie të ndjeshme prej 12.7% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare. Në raport me planin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 20% më pak, ose 3.7 miliardë lekë (30 milionë euro) të munguara në buxhet në raport me parashikimin fillestar.
TVSH-ja ka qenë zëri me rendimentin më të keq në buxhet në 6 muajt e parë të vitit dhe ka qenë një nga arsyet kryesore të mos realizimit të planit me rreth 30 milionë euro për periudhën janar-qershor 2019.

Teksa rreth 60 mijë subjekte të vogla tentojnë të mos hyjnë në TVSH, pasi një gjë e tillë do u rriste kostot, kontabilistët pohojnë se në shumë raste ata nuk pranojnë të marrin fatura, duke rritur informalitetin.

Luan Bregasi, President i Business Albania pohon se ne bizneset përballeni me një problem të madh që ka të bëjë me rezistencën që ndiejnë ne subjektet e vogla për të marrë faturën. “Biznesi i vogël u fut në sistem që të nxirrte situatën reale për biznesin e madh. Në fakt, ne po hasim probleme që ky biznes i vogël të pranojë faturë për efekt regjistrimi”. Bregasi propozon që biznesi i vogël të futet nga zero jo që të paguajë, por të regjistrojë.

Rënia e të ardhurave nga TVSH-ja ishte dhe një nga arsyet që nxiti financat që të ashpërsonin masat dhe kontrollet anti-informalitet. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj deklaroi së fundmi se pati një intensifikim të aksionit antiinformalitet, pas rezultateve të 6 mujorit të parë. “Në 6 mujorin e parë kishte mosrealzim të të ardhurave me planin, ndërsa me faktin e një viti më parë ishin në rritje”, tha ajo, duke shtuar se të dhënat e TVSH bruto që janë me rënie nuk korrespondojnë me rritjen e bizneseve dhe të sektorëve.

FMN: Rishikoni sërish pragun

Në një raport të fundit, FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar.

Sipas analizës Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e zgjerimit të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo rriti me gati një të tretën bizneset në TVSH.

Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi krijon një barrë të shtuar në DPT, kundrejt një kthimi të ulët, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor.
“Masa e fundit për uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 lekë 2 milionë duhet të rishqyrtohet” rekomandoi FMN në kuadër të disa rekomandimeve që synojnë të përmirësojnë efektivitetin e tatimit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *