• |
ide | kryesore

Negociatat/ Do vijojë Shqipëria të mbetet në “paradhomën” e BE-së?

Lajme, Të fundit

Kryqëzimi i rrugëve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, mund të rezultojë në dhënien e dritës jeshile të parës dhe shtyrjen për më vonë të fillimit të bisedimeve të pranimit për të dytën. Ky është skenari më me gjasë për t’u zbatuar sipas parlamentarit kristiandemokrat gjerman (CDU), Günter Krichbaum, i dalluar për oponencën e tij ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë dhënë për prestigjiozen gjermane “Deutsche Welle”, Krichbaum ka veçuar dukshëm Maqedoninë e Veriut, si të vetmin vend me statusin e kandidatit që gëzon pëlqimin dhe miratimin e Bundestagut për nisjen e bisedimeve, kundrejt Shqipërisë, të cilën madje e sheh si një “punëprishëse”, që duhet të shqyrtohet në mënyrë të diferencuar bazuar në parimin e meritës.

Tani që shtrohet pyetja a do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore apo jo, kjo pyetje nuk mund të ndahet edhe nga pyetja si do të shkojë puna me Shqipërinë. Ajo që mund të them unë është se në parlamentin gjerman, Bundestag, mendimi për Maqedoninë Veriore është shumë i mirë, Maqedonia Veriore ka imazh pozitiv në Gjermani… Siç thashë ne Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë, dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of own merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë.”- është shprehur Krichbaum për DW.

Në një optikë te ngjashme me deputetin gjerman, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar që Berlini zyrtar, të kryejë një shqyrtim të mëvetësishëm nga Shqipëria, sa i përket nisjes së bisedimeve të anëtarësimit. “Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar’“, është shprehur Pendarovski në një intervistë të dhënë për platformën mediatike “Euractiv”.

Po ashtu, gjatë një komunikimi me gazetarët muajin e shkuar në Helsinki, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, u pyet nëse vendi që ai përfaqëson rrezikon negociatat për shkak se po shqyrtohet si kandidaturë së bashku me Shqipërinë. Dimitrov theksoi se nuk do të donte të fliste për “paketë”, duke shtuar se në rast kundërshtimesh, është më mirë që të vlerësohet njëri (Maqedonia) sesa asnjëri.

Ky është një proces i bazuar në meritë dhe në këtë proces duhet t’i vlerësosh vendet të ndara. Nuk dua të flas për ‘paketë’. Dy nga dy është mirë, dy është më mirë se një, por gjithashtu mendoj se një është më mirë se zero. Dhe ne nuk kemi luksin të humbasim mundësinë për sukses, jo në Evropë, jo këtë vit”, deklaroi Dimitrov.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama gjendet në Gjermani, ku ka zhvilluar një takim me Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, “për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë”. Për këtë qëllim, pak minuta më parë, Rama përfundoi edhe takimin me kancelaren Angela Merkel, nga ku doli “shumë i inkurajuar nga vlerësimet”.

Gjermania e ka parë me mjaft rezerva hapjen e negociatave për Shipërinë, kryesisht unionistët e CDU-CSU-së qeverisëse, që nënvizojnë nevojën për rezultate më bindëse në përmbushjen e kritereve kyçe (lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës etj), si edhe për tejkalimin e krizës politike. Në grupin e vendeve të BE-së që prej kohësh kanë shprehur skepticizëm, në mos mungesë dakordësie për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit bën pjesë edhe Holanda, që në pranverë të këtij viti shkoi deri aty sa kërkoi rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, me arsyetimin se në këtë mënyrë do të frenoheshin sadopak bandat shqiptare të drogës dhe emigracioni i paligjshëm. Pa pikën e dyshimit, në këtë grup përfshihet edhe Franca, madje vetë kreu i shtetit francez, Emanuel Macron, është zotëruar se për arsye të mungesës së reformit të brendshëm, do të pengojë avancimin e mëtejshëm të polikës së zgjerimit.

 

 

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu