• |
ide | kryesore

“Po mësoj anglishten”: Manchester United prapa leksioneve të Allegrit

Sport



“Nuk flas ende mirë anglisht, por po mësoj”, kështu Massimiliano Allegri provon të evitojë pyetjet e atyre që e shohin që tani në pankinën e Manchester United, në rast të shkarkimit të teknikut norvegjez Ole Gunnar Solskjear. Pas eksperiencës në pankinën e Juventus, me 5 tituj e dy kupa të fituar dhe dy finale të Champions League të humbura, tani Allegri po vazhdon vitin e pushimit, por me sa duket e ardhmja e pret në Angli.

Manchester United, por jo vetëm. Edhe Tottenham ka hedhur sytë nga tekniku toskan, pavarësisht se Pochettino është shumë më stabël në pozita se Solkjaer. Allegri u largua nga Juventus i vendosur të mos kalojë menjëherë në një pankinë tjetër, por mundësia e shfaqur tek klubi anglez, asnjëherë më shumë se kaq në vështirësi, nuk mund ta lërë indiferent ish-teknikun bardhezi në rast të një thirrje. Pas 9 ndeshjesh, Red Devils janë -2 nga zona e rënies nga kategoria me vetëm 9 pikë të fituara. Kreun është 15 pikë larg, ndërsa Champions është ende i arritshëm (-5).

“Më pëlqen kur vihem në diskutim e kur mbërrita tek Juve, pas viteve të Conte, shumë menduan se do digjesha” tha Allegri, që nuk mendon për të ardhmen e preferon të flasë vetëm për mënyrën e tij të të bërit futboll: “Nëse do të bësh gjithcka vetë, nuk do arrish asgjë. Nuk mund të bëj mjekun, fizioterapistin e përgatitësin atletik, nuk kam kompetencat e parimi im është gjithnjë të rrethohem nga persona inteligjentë. Tekniku duhet të krijojë një ambjent pune harmonik, të ndajë përgjegjësitë me të tjerët e të zgjidhin së bashku problemet. Unë dëgjoj më shumë se them”.

Në fund ka folur edhe për Mandzukic, protagonist absolut në periudhën e tij në bardhezi. Pikërisht kroati është në qendër të zërave për një kalim tek United: “Është shembulli i një lojtari special, më ka dhënë shumë hapësirë manovre. Në të shkuarën ka ndryshuar shpesh skuadër, por tani është në sezonin e tij të pestë tek Juventus e ky është një nga sukseset e mi më të mëdhenj”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *