Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim për tentative vrasje është arrestuar në Durrës.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria e Policisë Vlorë, Tiranë, e Durrës u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes dhe kapja e Eduart Xhezos.
I cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, Xhezo po qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli. Por pasi policia i është vënë pas, duke bllokuar edhe rrugën në Shkozet, u bë e mundur kapja e tij.
34-vjeçari nga Vlora akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”.
Menjëherë është njoftuar Policia e Durrësit dhe në hyrje të Durrësit, Policia ngriti një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.
Forca e Posaçme Shqiponja e DVP Durrës dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici.
Shtetasi Eduart Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.