• |
ide | kryesore

Sulm me makinë-bombë në Shqipëri! Përfaqësuesi i muxhahedinëve zbulon planin e parandaluar të celulës terroriste

Lajme, Të fundit



Rreth dy javë pas publikimit të lajmit se një celulë terroriste iraniane do të godiste kampin Ashraf të muxhahedinëve, përfaqësuesi i opozitës iraniane në Uashington, Ali Safavi, ka dhënë detaje të reja mbi përgatitjen e skenarit.

Në një intervistë për televizionin “Ora News”, Safavi shprehet se terroristët kishin nisur mbledhjen e bazës materiale të eksplozivëve, ndërsa dyshohet se do godisnin nëpërmjet një makine-bombë kampin Ashrap, gjatë festës së Novruzit të këtij viti, që përkonte me datën 20 Mars.

Safavi shtoi se këto lëvizje të orkestruara nga qeveria e Iranit, tregojnë se regjimi i trembet forcës së muxhahedinëve.”Bazuar në detajet që ne dimë, besojmë se ata do të sulmonin përmes një makine-bombë për të kryer këtë akt terrorist, por dështuan. Gjithashtu, edhe në Paris në një mbledhje tonën ata janë munduar që të përdorin një pajisje mjaft të rrezikshme për të sulmuar. Fatmirësisht, në të dyja rastet autoritetet kanë reaguar në mënyrën e duhur, dhe sulmet janë parandaluar.”

Më tej, Safavi akuzoi ish-ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, si drejtues në Ministrisë e Inteligjencës Iraniane. Ai shprehet se ky i fundit ka qenë gjithashtu pjesë e tryezave të rëndësishme, si bisedimet për marrëveshjen bërthamore, të zhvilluara në të njëjtën tryezë me ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry. “Shqipëria përmes veprimeve të saj vendosi të dëbojë ambasadorin e regjimit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, i cili ishte në të vërtetë një drejtues I lartë I ministrisë së inteligjencës. Presidenti Trump i shkroi një letër KM Rama, duke e falënderuar për vendimin e tij deçiziv. Ai më herët ka punuar dhe në Nju Jork, por roli I tij është lidhur më së shumti me inteligjencës, se sa me diplomacinë klasike.”

Në mbyllje të intervistës, Safavi falënderoi Shqipërinë për mikpritjen e muxhahedinëve në kampet Ashraf.

Para pak ditësh, Policia e Shtetit njoftoi zbulimin e një celule terroriste iraniane që ka tentuar të kryejë akte terroriste në Shqipëri, një prej të cilëve u arrit të parandalohej. 4 persona janë identifikuar  si pjesë e grupit operativ që vepruan në emër të shtetit iranian dhe “QUDS”, për të sulmuar anëtarët e komunitetit muxhahedinë të strehuar në vendin tonë. ©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *