• |
ide | kryesore

Atentati ndaj Prokurorit/ Zbulohet gjendja shëndetësore e tre të plagosurve

Lajme, Të fundit



Andi Maloku, shoferi i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ndodhet në gjendje kritike për jetën, si pasojë e plumbave të marrë në atentatin e 1 nëntorit, pranë mbikalimit të Shkozetit.

Ndërsa, gjendja e dy të plagosurve të tjerë, Ndoja dhe Landi Muharremi (Aleksandër Laho) nuk paraqet rrezik për jetën. Sipas mjekëve, Maloku është në gjendje të rëndë dhe vijon të mbahet nën kontrollin intensiv në spitalin e Traumës në Tiranë. Parametrat e tij jetesorë janë të qendrueshëm dhe Maloku është i ndërgjegjshëm, por një pjesë e trupit të tij është e paralizuar.

Atentati ndodhi teksa prokurori Ndoja po udhëtonte me Malokun dhe Muharremin, që njihet si “i tmerrshmi i Sukthit”, në automjetin tip “Benz” të llojit fuoristradë me targa “AA 333 ZD”.

Deri më tani, në Polici janë shoqëruar mbi 30 persona, mes të cilëve Julian Meçe, anëtari i Bandës së Durrësit, mik me Lul Berishën dhe Plarent Dervishaj, kunati i i Lul Berishës. Të dy të shoqëruarit kishin alibi mbi momentet kur ndërkohë në autostradë automjeti ku udhëtonte prokurori Ndoja po ndiqej nga një tjetër makinë dhe kur brenda pak sekondave, ata u nxorën nga rruga dhe u lanë të plagosur në mbikalim.

Policia do t’i rikthehet sërish të plagosurve për të marrë detaje shtesë që do mund të ndihmonin në zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Madje, grupi i hetimit po diskuton mundësinë që pas ekspertizave dhe kqyrjeve të rëndësishme mes tyre edhe ndaj një automjeti të braktisur të gjendur pas atentatit, ta pyesë prokurorin Ndoja mbi dosjet që ka nën hetim. E njëjta dëshmi do t’i merret edhe Aleksandër Lahos, i njohur me pseudonimin “Rrumi” e që gjithashtu është i njohur edhe për konfliktet e tokave në gjirin e Lalëzit.

 Lidhur me ngjarjen, është vënë në pranga 34-vjeçari Redjan Rraja, i cili u ndalua me urdhër të prokurorëve, Anton Martini e Besim Hajdarmataj, teksa tentoi të largohej nga Shqipëria nga pika kufitare e Hanit të Hotit për në Malin e Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e tipit “Benz” të gjetur nga Policia në Ishëm pas atentatit.

Rraja, i arrestuar një ditë më parë në cilësinë e një prej autorëve të dyshuar të atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, do të dalë sot  para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohuar me masën e sigurisë. Seanca në ngarkim të tij do të zhvillohet në orën 14:00. Ndaj tij rëndon akuza për veprat penale “vrasje e funksionarëve publikë”, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.©Lapsi.al 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *