• |
ide | kryesore

Gara për Kryeprokurorin/ Kandidatët intervistohen sot nga KLP, si bëhet vlerësimi

Arkiva, Lajme, Të fundit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë sot 3 kandidatët për Kryeprokuror, të cilët më pas do të pikëzohen në bazë të profesionalizmit, integritetit dhe aftësive drejtuese.
E para që do të dalë para KLP-së, është drejtuesja e Përkohshme e Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku, pas saj prokurorja e Apelit Tiranë, Fatjona Memçaj dhe në fund prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Ndryshe nga procedura e ndjekur me kandidatët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, intervistat e tre kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, do të transmetohen live me regji qendrore nga RTSH.

“Në zbatim të nenit 19, pika 1 e rregullores ‘Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm’, intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video. Orari i zhvillimit të intervistave do të jetë si më poshtë: Arta Marku 09:30, Fatjona Memçaj 11:00 dhe Olsian Çela 12:30. Këshilli kërkon nga kandidatët të marrin masa për t’u paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në datën dhe orën e njoftuar. Intervistat me kandidatët do të transmetohen live me regji qendrore dhe sinjali do të shpërndahet nga RTSH”, njoftoi dje KLP.

PIKËZIMI

Duke iu referuar vendimit të KLP për metodologjinë e vlerësimit të kandidatëve, aftësitë profesionale dhe aftësitë drejtuese do të zënë peshën më të madhe të vlerësimit që do të bëhet me pikë. Kështu, për aftësitë profesionale që përfshijnë rezultatet e arritura në punë, në studime dhe në kërkimet shkencore, duke përfshirë edhe përvojën e punës, kandidatët mund të grumbullojnë deri në 20 pikë. Për integritetin moral, ku përfshihet reputacioni profesional dhe shoqëror, mund të marrin 4 pikë në total. Për aftësitë drejtuese, që do të vlerësohen nga cilësia e platformës dhe vizionit, aftësia vendimmarrëse, aftësia për të punuar në grup dhe aftësia për përfaqësim publik, kandidatët mund të grumbullojnë 20 pikë.

Gjithashtu, KLP do të vlerësojë kandidatët me pikë edhe për titujt akademikë, studimet dhe trajnimet afatgjata jashtë vendit dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë diskutoi edhe në lidhje me konfliktin e mundshëm të interesit që mund të kishin anëtarët me 3 kandidatët për Kryeprokuror. Vetëm për dy prej tyre u diskutua nëse mund të kishin konflikt interesi, por KLP i rrëzoi pretendimet me anë të një votimi.

KANDIDATËT

Prokurorja Arta Marku ka mbaruar studimet e larta dhe magjistraturën në Universitetin e Tiranës. Pasi ka kryer stazhin për 2 vjet në Prokurorinë e Fierit, ka ushtruar funksionin si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 15 vite. Për 7 vjet ka qenë drejtuese e Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër si dhe zëvendësdrejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Fatjona Memçaj, aktualisht prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë, në vitin 2003 mbante postin e prokurores së rrethit në Tiranë.

Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013 mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë. Gjithashtu, Memçaj është përfshirë edhe në mësimdhënie. Më herët drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe aktualisht prokuror në këtë Prokurori, Olsian Çela ishte kandidatura e parë e dorëzuar pranë KLP. Prokurori Olsian Çela ka punuar në Prokurorinë e Tiranës, pasi përfundoi magjistraturën në vitet 1998-1999. Gjithashtu, ka kryer edhe një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë për hetimin e trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar.

2 Comments

  1. KRITERET E VENDOSURA DHE PIKEZIMI LENE HAPESIRA TE MJAFTUESHME PER NJE VLERESIM SUBJEKTIV DHE TE PARACAKTUAR. E TERA ESHTE NJE HIPOKRIZI E SANKSIONUAR ME LIGJ.
    per shembull: ME CFARE NJESIE MATESE MUND TE MATET REPUTACIONI SHOQEROR,REPUTACIONI I CILES PJESE TE SHOQERISE MERRET PER BAZE,APO A KA NDONJE SONDAZH TE PAKTEN.SEPSE PO TE MERRET REPUTACIONI I ASTIRIT PER ARTA MARKUN AJO NUK MERR ASNJE PIKE,DHE PO TE MERRET OPINIONI I KOMISIONIT TE PROKURIMIT TE FALLSIFIKIMIT TE DOKUMENTEVE TE TENDERIT AJO I MERR 100 PER QIND TE PIKEVE.
    ose per shembull: VLERESIMI NE BAZE TE PLATEFORMES. KJO MUND TE JETE KRITER PER PARTITE POLITIKE NE ZGJEDHJE ,KURSE PER NJE INSTITUCION KUSHTETUES QE I KA TE PERCAKTUARA QARTE KOMPETENCAT,TE DREJTAT DHE DETYRAT,VIZIONI ESHTE I PERCAKTUAR SEPSE NJE VIZION QE TEJKALON APO SHMANG VIZIONIT E LIGJIT ESHTE I KUNDERLIGJSHEM GJITHASHTU. ETJ,ETJ,ETJ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu