• |
ide | kryesore

“Shëndeti i pari, por kampionati duhet të luhet”: karantina nuk i heq dëshirën për titull Mezanit

Sport



Kampionati i Kosovës është ndaluar dhe nuk ka një njoftim të qartë, ashtu si edhe në pjesën tjetër të Europës, nëse do të nisë apo jo. Por ky është problemi më i vogël që ka kontinenti në kohë kur sfida kryesore është ajo për shëndetin e rrezikuar nga pandemia e Covid 19. Gentian Mezani, tekniku vlonjat i Gjilanit, është në izolimin e detyruar nga pandemia e në këtë periudhë delikate e të pazakontë, ku kontakti është ai që duhet shmangur, teknologjia është e vetmja mundësi komunikimi me lojtarët e tij, me të cilët tekniku mban kontakt të përditshëm, për ti qendruar pranë psikologjikisht e për ti dhënë ndonjë sugjerim. Video call e mesazhe me të gjithë, për të qendruar të bashkuar edhe në një kohë kur duhet mbajtur distancë: “Komunikimi unë me lojtarët – tregon Mezani – është nëpërmjet telefonit, nëpërmjet bisedave-video. Mundohemi të jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke punuar si nga ana psikologjike, por edhe duke dhënë këshillat për stërvitjen. Kjo është mundësia e vetem që kemi dhe duhet shfrytëzuar”.

Kampionati mund të rinisë së shpejti, për më optimistët, duke parë edhe trendin e virusit që në aspektin e infektueshmërisë ka një lloj ngadalësimi e në këtë pikë lojtarët duhet të jenë gati. Mezani pranon se indikacionet janë dhënë, por programi shtëpiak ka limitet e tij: “Programi stërvitor është ai që mund të zhvillohet në kushtet e shtëpisë – vazhdoi tekniku vlonjat – edhe pse unë mendoj se jo të gjithë kanë hapësirën e duhur për të bërë një stërvitje individuale si duhet. Jemi munduar që ti bëjmë të mbajnë trupin në formë, për të qenë gati nëse nisim”.

Vetëm tre pikë larg vendit të parë në renditje që mbahet nga Ballkani e bëjnë Mezanin të mos dëshirojë të heqë dorë nga titulli kampion. Në llogaritë e teknikut, deri në fund janë shumë pikë në lojë për të arritur objektivat, ndaj dhe Gjilani shpreson që kampionatin ta humbasë ose fitojë në fushën e lojës: “Shpresoj shumë që ky kampionat të shkojë deri në fund dhe ti luajë të gjithë ndeshjet. Ti kthehemi normalitetit është më e rëndësishmja, sepse cdo klub në bazë të investimit ka vendosur objektivat e veta dhe janë shumë pikë në lojë e ndeshje për tu luajtur, gjë që mund ti mundësojë skuadrave ti arrijnë dhe do ishte mirë ta bënin në fushë. Ne si klub do respektojmë cdo vendim që do të marrë qeveria e Kosovës, sepse do të jetë në shërbim të futbollit dhe shëndetit, që është primar”.

Gjilani është një nga surprizat e bukura të kampionatit kosovar. Skuadra e mbushur me lojtarë të Superligës shqiptare është në vendin e tretë me 41 pikë dhe nga kreu e ndan vetëm një fitore, ndërsa nga Drita e vendit të dytë vetëm dy pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *