• |
ide | kryesore

“Na u prishën planet e merkatos, pa tifozë nuk luhet”: Nexhipi thyen heshtjen e Kukësit dhe flet për situatën

Sport



Kukësi është një nga skuadrat që pothuaj e ka siguruar prezencën në Europë sezonin e ardhshëm, duke përllogaritur renditje-kualitet organike, por shtyrja e mbylljes së kampionatit dhe kriza eventuale financiare që i ka prekur të gjithë i ka prishur planet e merkatos. Drejtori Sportiv i Bluve, Nderim Nexhipi, ka thyer heshtjen e shtypit të klubit, duke folur për pozicionimin e Kukësit në rifillimin e sezonit, gjithnjë nëse aprovohet dicka e tillë: “Planet si për klubin tonë, ashtu dhe klubet e tjera, janë prishur në këtë kohë pandemie, flas këtu për merkaton sepse kemi qenë duke vëzhguar lojtarë, kemi qenë duke ndjekur disa lojtarë që për pjesën e Europës do ti afronim. Sidoqoftë tani ka mbetur të mbyllim këtë kampionat, pastaj të shohim si do shkojnë gjërat”, tregoi Nexhipi.

E gjithë cështja është tashmë që lojtarët të jenë në formën më të mirë të mundshme në kushtet e një stërvitje të cunguar në shtëpi, me teknikun Shehi që monitoron gjithë kohën stërvitjen e lojtarëve, bashkë me përgatitësin atletik. Natyrisht, rifillimi i mundshëm i kampionatit do ta barazojë, nëse mund të quhet kështu, për herë të parë Kukësin me kundërshtarët e tij, duke qenë se verilindorët kanë luajtur jashtë stadiumit të tyre gjatë tre fazave të parë të kampionatit e rrjedhimisht me fare pak tifozë. Por Nexhipi kujton sfidat e luajtura dikur pa publik dhe vlerëson se kjo nuk i shërben as Kukësit, sepse futbolli luhet për tifozët: “Është e vërtetë që po filloi kampionati do të luhet pa tifozë. Mund të jetë edhe se barazohemi për punën e tifozëve, por ne preferojmë që ata të jenë në stadium, pavarësisht kë mbështesin, sepse futolli luhet për ta. Personalisht kam luajtur një derbi pa tifozë kundër Tiranës dhe ka qenë dicka shumë e shëmtuar”.

Kukësi është kualifikuar në cerekfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe është në vendin e dytë në kampionat me 44 pikë. Megjithatë, diferenca prej 9 pikësh me Tiranën kryesuese e ka nxjerrë nga lufta për titull, me 10 ndeshje të mbetura e me bardheblutë të pamundur prej 14 ndeshjesh radhazi, kështu që Kupa është objektivi real i Kukësit…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *