• |
ide | kryesore

Video/ Teuta rrëmben trofeun e parë sezonal: Tirana dështon edhe në Superkupë

-Instant, F1, Sport, Video



Përfundon ashtu si në finalen e Kupës së Shqipërisë: Tirana nuk merr dot revanshin ndaj Teutës dhe del e mundur 2-1 edhe në Superkupën e Shqipërisë. Martini i shton një tjetër arritje sezonit të tij me bregdetarët, duke marrë edhe trofeun e parë të sezonit të ri, përballë një kundërshtari që sic duket vuajti shumë energjinë e shpenzuar kundër Crvena Zvezda në raundin e dytë të Champions.

Në edicionin e 25 të kompeticionit, Teuta i tregoi shumë shpejt dhëmbët, duke e vënë nën presion skuadrën e Egbo, që kishte kryer lëvizje të shumta në krahasim me daljen e fundit kundër serbëve. Durrsakët morën avantazhin në Elbasan Arena në minutën e 21. Fituesit e Kupës së Shqipërisë ndëshkuan kampionët e Tiranës, duke përfituar nga një gabim i portierit bardheblu Ilion Lika. 40 vjecari nuk mundi të mbajë goditjen e dënimit të Avdylit, duke i lënë topin Hebajt që e shtyu në rrjetë me lehtësi.

Goli tronditi bardheblutë dhe i dha krahë Teutës, që kërkoi të përfitonte nga momenti i vështirë i kryeqytetasve. E në fakt, nuk u bënë mirë gjërat për Tiranën në fundin e pjesës së parë të Superkupës së Shqipërisë, sepse Teuta shënoi edhe golin e dytë në minutën e 34. E këtë herë gafa është e Nadjovskit, që bëri një ndërhyrje të panevojshme duke shkaktuar 11 metërsh. Lika me eksperiencën e tij e gjeti krahun e penalltisë, duke e grushtuar topin, por i pari mbërriti sërisht Hebaj që fiksoi dygolëshin personal, edhe pse ndoshta goli duhej anulluar se në momentin që Lorenco Vila goditi, lojtarët durrsakë ishin futur në zonë.

Tirana u kthye në lojë 15 minuta nga fundi. Lëvizjet e Egbo dhe dalja me karton të kuq (i dyti i verdhë) për Arapin i dhënë tjetër ritëm bardhebluve, që në minutën e 75 ngushtuan diferencën në 2-1 me Vrapin. Lojtari goditi fort brenda zonës në sugjerimin e Ismailgecit, pa i lënë asnjë mundësi reagimi Frashërit. Për Teutën është trofeu i parë i Superkupës dhe me këtë rezultat bëhet skuadra që e ka mundur Tiranën dy herë brenda muajit. Martini mund të jetë i kënaqur dhe të përqendrohet tek sfida e 17 shtatorit kundër Granadës, për raundin e dytë të Europa League.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *