• |
ide | kryesore

Video/ “I besoj gardës së vjetër”: sulmi bind, mbrojtja jo dhe aq, por Reja zbulon formacionin

-Instant, F1, Sport, Video



Pas 9 muajsh Shqipëria kthehet të luajë një ndeshje zyrtare dhe duhet ta bëjë kundër një kundërshtari që ka avantazhin e minutave në këmbë. Kampionati i Bjellorusisë ka nisur tashmë, ndërsa për shumë nga lojtarët nën urdhërat e Edy Reja vijnë nga pauza mes një sezoni të trazuar për shkak të pandemisë, në pritje për të rinisur. Në konferencën për shtyp të teknikut italian, përpara debutimit në Nations League, ky ka qenë edhe shqetësimi kryesor: “Më shqetëson gjendja fizike e lojtarëve. Jam i kënaqur për mënyrën si e kam gjetur grupin. Ka një armoni të mirë. Shqipëria ka punuar mirë. Kemi disa të rinj që kanë cilësi që mund të vlejnë për të ardhmen. Stërvitja është diçka tjetër, ndeshja është diçka tjetër”.

Ndryshe nga mekanizmi mbrojtës i teknikut për të fshehur kartat, këtë herë Reja ka zbuluar formacionin, vërtetë pa emra, por duke i besuar gardës së vjetër: “Nuk do të bëjmë eksperimente ndeshjen e nesërme. Do të luajnë lojtarët e zakonshëm që ju i njihni. Kemi humbur miqësoret që i kemi programuar në mars dhe qershor. Do të ketë kohë për lojtarët e rinj që t’i provojmë. Formacioni do të jetë ai që ka qenë në ndeshjet e fundit”.

Reja ka përjashtuar Hysaj në treshen e mbrojtes (Nuk kam ndërmend ta vendos Hysaj në mbrojtje), ndërsa ka pranuar vështirësitë për ti dhënë fantazi lojës me mungesën e Memushajt: “Do të jetë e vështirë pa cilësitë e Memushajt. Mund të provojmë Laçin, por edhe ai ka pasur disa probleme fizike. Nëse nuk do të zgjedhim dot Laçin, do të zgjedhim Abrashin, i cili mund ta bëjë në atë rol”.

Sulmi është ndoshta reparti që i jep më shumë garanci teknikut, por edhe aty duhet të bëjë zgjedhje e në këtë rast nuk është e lehtë: “E kam marrë në konsideratë faktin që mund të luajë Sadiku me Cikalleshin. Sadiku lëviz shumë, ka njohje shumë të mirë me portën dhe është në formë të mirë. Kemi dhe Balajn që ka shfaqur një formë të mirë në stërvitje, shënoi 3 gola në miqësore”.

Reja është gati të firmosë për 4 pikë në dy ndeshjet e para: “Do ishte rezultat i mirë të merrnim 4 pikë në ndeshje. Luajmë kundër Bjellorusisë që ka nisur kampionatin dhe është në formë të mirë. Shpresoj që ta kompensojmë formën e mirë me dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin” përfundoi tekniku.

https://www.youtube.com/watch?v=ANam25Wliyw



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *