Opozita jashtëparlamentare në Këshillin Politik ka dorëzuar sot kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE-ODIHR, lidhur me dy çështjet që nuk gjendet dakordësi me mazhorancën, hapjen 100% të listave dhe lejimin e koalicioneve parazgjedhore.
Mes të tjerash, përfaq¡suesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, shkruajnë se “në emër të Opozitës kërkojmë që Këshilli Politik t’i kërkojë zyrtarisht OSBE/ODIHR-it asistencë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët, në përputhje me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike”.
Kërkesa e plotë:
Të nderuar kolegë,
Këshilli Politik është ngritur dhe funksionon mbi bazën e Marrëveshjes Politike të 14 Janarit 2020 dhe në themel të tij ka konsensualitetin. Zbatimi i plotë dhe joselektiv i kësaj marrëveshje garanton githëpërfshirjen në realizimin e një Reforme Zgjedhore konsensuale. Nëse palët nuk i qëndrojnë marrëveshjes dhe i imponojnë njëra-tjetrës akte të njëanshme, Këshilli Politik e humbet funksionin e tij.
Marrëveshja e 14 Janarit 2020 përmban një klauzolë themelore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas kësaj klauzole, në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, do të kërkohet opinioni dhe asistenca nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kjo pikë përcakton qartë që në Këshill kriteri themelor është konsensusi dhe se çdo zgjidhje duhet te jetë e pranueshme nga palët. Kjo klauzolë mundëson marrjen e opinionit dhe ndihmës së specializuar mbi çështjet e debatuara përpara se ato të draftohen bashkërisht me konsensus.
Partia Socialiste propozon ndryshimin e mekanizmit të garimit zgjedhor dhe të formulës përkatëse që kthen votat në mandate, e që përfshin edhe koalicionet. Ky propozim i njëanshëm, është i papranueshëm për Opozitën, sepse ai ndryshon rregullat bazë të garimit dhe shpërndarjes së mandateve të mbledhura në garën zgjedhore, pa shkak të ligjshëm dhe vetëm 4 muaj para fillimit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Duke qenë se Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe procesi zgjedhor ka filluar, kjo përbën ndryshim të rregullave në mes të procesit zgjedhor.
Argumenti i Partisë Socialiste se ndryshimet e njëanshme kushtetuese të 30 Korrikut, diktojnë ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor në lidhje me formulën e koalicioneve dhe atë të shpërndarjes së mandateve, është tërësisht i pabazë. Këto ndryshime nuk kanë hequr nga Kushtetuta koalicionin si formë organizimi politik në garën zgjedhore. Kjo formë vazhdon të mbetet në fuqi në Kushtetutë. Formulimet e Kodit Zgjedhor në fuqi, përfshirë ato të dakordësuara mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe të miratuara më 23 Korrik, janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standartet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës.
Për këtë qëllim, në përputhje me pikën 2, paragrafi i tretë, të Marrëveshjes për kornizën e bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore të 14 Janarit 2020, në emër të Opozitës kërkojmë që Këshilli Politik t’i kërkojë zyrtarisht OSBE/ODIHR-it asistencë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët, në përputhje me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Opozita është e gatshme të japë kontributin e saj për dërgimin pa vonesë të kërkesës për asistencë, në mënyrë që Këshilli Politik të përmbushë në kohë detyrën e tij.
Me respekt,
ANËTARËT E KËSHILLIT POLITIK
Përfaqësues të Opozitës së Bashkuar
Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili