• |
ide | kryesore

Roli i “Black Lives Matter” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së

Lajme, Planet



Votuesit me ngjyrë në SHBA mund të luajnë rol të rëndësishëm në zgjedhjet amerikane, nëse shkojnë tek kutitë e votimit. Lëvizja Black-Lives-Matter ka ndihmuar në mobilizimin e njerëzve.

Keturah Heron ka vënë kapuçin mbi kokë dhe ecën nëpër rrugë me grushtin ngritur lart. Në maskën e zezë që ka në fytyrë shkruhet “Justice for Breonna Taylor”, drejtësi për 26 vjeçaren infermiere të ndihmës së shpejtë, që u vra në muajin mars nga policia kur po i kontrollonte shtëpinë.

Është ftohtë dhe fryn erë në Louisville, Kentucky, në një ditë tetori. Megjithatë disa qindra demostrues janë mbledhur në këtë marshim përkujtimor. “Say her name”, thuaj emrin e saj, thërrasin ata, “Breonna Taylor!” Thirrja për betejë e idhtarëve të Lëvizjes Black-Lives-Matter në Louisville.

Black Lives Matter kundër Donald Trumpit

Keturah Herron kërkon drejtësi për vrasjen e Breonna Taylorit, por ka kohë që çështja është për më shumë. Pas protestave disamujore të zhvilluara në gjithë vendin kundër dhunës raciste të policisë dhe duke pasur parasysh zgjedhjet presidenciale, demostruesit e Black-Lives-Matter në Louisville kanë edhe një mesazh politik: Ata dhe shumë aktivistë të tjerë duan që presidenti Trump të largohet nga posti. Ata mendojnë se ai është përgjegjës për përçarjen e vendit, përçarje që po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Në rrugët e Louisville-t ata janë të gjithë të një mendjeje: Donald Trump është racist, refuzon të dënojë dhunën policore kundër njerëzve me ngjyrë, lëvdon milicët e armatosur që vijnë nga forcat e djathta dhe kujdeset për të vendosur rendin duke luftuar protestat e Black-Lives-Matter, siç ndodhi në muajin gusht në Kenosha, Viskonsin, kur një idhtar i Trumpit, një 17 vjeçar shtiu mbi dy demostrues. Pak më vonë Trump e mori atë në mbrojtje duke folur për “vetëmbrojtje” kundër “radikalëve të majtë”, që i hedh të gjithë bashkë në një kazan me Lëvizjen Black-Lives-Matter.

Pjesëmarrje e madhe në zgjedhje

Ka disa kohë që Donald Trump ka humbur faktikisht në sondazhe. Një nga arsyet për këtë mund të jetë Lëvizja “Black Lives Matter”. Nuk është aspak e qartë si paraqitet gjendja mes votuesve me ngjyrë, siç e tregon edhe demostrata në Louisville. Një sondazh i Universitetit Amerikan në Uashington DC ka nxjerrë se shumë të rinj me ngjyrë e shohin po ashtu me sy kritik kandidatin demokrat, Joe Biden. Sipas sondazhit, gjysma e zgjedhësve me ngjyrë që janë nën moshën 30 vjeçare në gjashtë shtetet më të rëndësishme federale janë të pavendosur, shumë prej tyre madje nuk duan të shkojnë fare të japin votën. Tek mosha mbi 30 vjeçare, shumica përkrah Bidenin, 70 përqind e tyre. Robert Patterson, Profesor i studimeve afrikane në Universitetin Georgetown në Uashington DC, parashikon duke thënë se ndryshe nga Hillary Clinton në vitin 2016, Joe Bideni ka mbështetjen e shumicës së zgjedhësve me ngjyrë.  Zgjedhësit me ngjyrë të Trumpit, të cilët zgjedhin republikanët për arsye ideologjiko- ekonomike, nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Por ndryshe nga 2016, zgjedhësit me ngjyrë e dinë mirë kësaj here “për çfarë bëhet fjalë”, thotë Patterson.

Midis pandemisë dhe protestave

Sa shumë merren demostruesit me Presidentin Trump u tregua edhe në fund të muajit gusht në Uashington DC. Me rifillimin e marsheve historike “March on Washington” mijëra vetë u mblodhën në kryeqytetin amerikan, shumë prej tyre dolën para Shtëpisë së Bardhë duke mbajtur karikatura tallëse të Presidentit. Kush demostron sot këtu, e bën këtë edhe për të kujtuar Martin Luther Kingun, që u vra 57 vjet më parë, dhe fjalimin e tij të famshëm që kërkonte barazi për të gjithë: “I have a dream”.

Viti 2020 dëshmoi midis pandemisë dhe protestave se “jo shumë gjëra kanë ndryshuar” që nga fjalimi i Kingut, thotë një demostruese e re e futur mes turmës, e cila ia vë fajin presidentit për “racizmin e bardhë”. Trazirat në vend janë “një nga pasojat” e tij.

“Zgjedhjet më të rëndësishme të jetës”

Fitorja e Joe Bidenit është e varur nga votat e zgjedhësve me ngjyrë, prandaj ai ka zgjedhur si kandidate për zëvendëspresidente Kamala Harris, një grua me ngjyrë. Që kjo nuk mjafton, bëhet e qartë, kur flet me një nga zgjedhësit, një djalë të ri që e quan veten “TS”, që jeton në lagjen problematike të Compton të Los Angelesit. Donald Trumpi nuk është i mirë për çështjen e njerëzve me ngjyrë, thotë ai, “megjithatë unë do e zgjedh sepse ai është njeri që ka para”.

Robert Patterson nga Universiteti Georgetown në Uashington DC i shpjegon këto qëndrime me mungesën e arsimit dhe pakënaqësitë historike dhe e bën të qartë se në fund të fundit çështja është tek pjesëmarrja në zgjedhje. Nëse pjesëmarrja në zgjedhje është e lartë mes njerëzve me ngjyrë, atëherë kjo do të jetë falë kontributit të Lëvizjes Black Lives Matter, thotë Patterson. Dhe lëvizja mbështet kryesisht Joe Bidenin.

Aktivistja e Black-Lives-Matter, Keturah Herron nga Louisville është e gatshme të bëjë kryqin në letrën e votimit. Kur Barack Obama u zgjodh si president, duke qenë presidenti i parë amerikan me ngjyrë, ajo besoi për pak kohë se diçka do të ndryshonte vërtet në vend. Tani ajo e ka të qartë, se kësaj here çështja është shumë e rëndësishme. “Për ne njerëzit me ngjyrë,” thotë Herron, “ky do të jetë votimi më i rëndësishëm i jetës”. /DW/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *