• |
ide | kryesore

Superiore/ Dy humbësit e debutimit përballë njëri-tjetrit: Gega e Daja duan të shmangin turpin

-Instant, Sport



Kundër skuadrës që e shpalli kampion në javën e dytë. Kundër klubit që e ka rivalizuar gjithnjë me alternativë të vetme fitoren. Skënder Gega përballë Ilir Dajës është sfida brenda sfidës në Kukësi-Partizani, që tërheq vëmendjen në të dytën e Superiores. Interesante premton të jetë edhe përballja në Pogradec mes Tiranës e Teutës, me bregdetarët që nuk duan ti japin avantazh tjetër kampionëve, pas ndalesës që bënë në shtëpi me Skënderbeun.

Përfaqësimi i Kukësit në debutimin kundër Tiranës ishte për tu harruar. Gega shpreson që skuadra e tij ta mbajë mend mirë, për të mos e përsëritur më, kur përballë do të ketë Partizanin. Skuadra e Ilir Dajës, një tjetër humbëse e madhe në javën e parë të kampionatit, është e plagosur nga disfata e papritur në Krujë dhe kërkon të ringrihet shpejt për tu vënë në shinat e objektivëve e për të mos komplikuar renditjen që në fillim. Gega ka menduar ti japë stabilitet mbrojtjes me Bytycin, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka nevojë vetëm për një shkundje, që të performojë si në eleminatoret e Europa League. Në anën tjetër, Daja nuk ka shumë zgjedhje në prapavijë, por mund ti japë ritëm tjetër sulmit.

Tirana ka qetësinë e një skuadre kampione, që ka fituar kundër nënkampionëve me gjysëm ekipi. Mjafton që Egbo të ketë punuar me ekipin me harmoninë e duhur, edhe pse për vetëm tre ditë. Tekniku nigerian tani e ka të vështirë të zgjedhë, duke parë performancën e bardhebluve ndaj Kukësit. Najdovski, autor i dy golave të parë të kryeqytetasve, mund të kthehet në rolin e tij natyror në qendër të mbrojtjes, pas rikthimit të Bathës e Torassa nga skualifikimi. Ismailgeci do të marrë krahun e majtë në mbrojtje, ndërsa ende nuk është gati Celhaka, Toshevski e Kale. Lëvizje edhe tek Teuta, me Martinin që kërkon të japë një sinjal se askush nuk e ka vendin të garantuar pas barazimit 1-1 me Skënderbeun. Në vend të Avdylit të skualifikuar ka dualitet mes Dajës e Karabecit, për një fanellë krah Aleksit. Dëmtimi në kokë mban në ankth Teutën për Emiliano Vilën, për të cilin do të vendoset në fund.

Në ndeshjet e tjera, Apolonia që e nisi me humbjen në Shkodër do të presë Bylis. Ballshiotët pasi frenuan Lacin në shtëpi, do të kërkojnë pikë në Loni Papuciu. Kurbinasit do të presin në shtëpi Kastriotin. Skuadra e Ndreut vjen nga fitorja euforike me Partizanin, por duhet të bëjnë llogaritë me një skuadër investimet e të cilave janë për titull. Në Korcë do të luhet edhe takimi mes Skënderbeut dhe Vllaznisë. Shkodranët kërkojnë fitoren e tretë sezonale, por duhet ta bëjnë për herë të parë jashtë mureve të Loro Boricit.

SUPERIORE JAVA E DYTË

Tirana 13 : 45 Teuta
Apolonia 13 : 45 Bylis
Kukësi 13 : 45 Partizani
Laçi 13 : 45 Kastrioti
Skënderbeu 16 : 45 Vllaznia



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *