• |
ide | kryesore

Analiza/ Java që kaloi, më e keqja që kur nisi pandemia në Shqipëri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Java që sapo kaloi ishte më e keqja që nga fillimi i pandemisë, me rritje të fortë të numrit të viktimave dhe të rasteve të reja, ndërkohë që testimet mbetën thuajse në të njëjtat nivele. Në një raportim të Zërit të Amerikës që ka përpunuar të dhënat zyrtare thuhet se situata ka ardhur vetëm duke u rënduar, me një pozitivitet i cili është gjithashtu në nivele tejet të larta.

Në 7 ditët e shkuara, u regjistruan 112 humbje jete, ose 19.1% me shumë. Dita me nivelin më të lartë ishte 5 dhjetori me 19 vdekje. Në total janë 922 të vdekur që nga nisja e pandemisë.

Në javën pararendëse (24-30 nëntor) pati një ulje të numrit të rasteve të reja, për shkak të reduktimit të tamponëve. Këtë herë ato kërcyen ndjeshëm, ndërsa testimet ishin thuajse në të njëjtat kuota, vetëm 1.8% më shumë, ose në total 15.527 tamponë. Sipas të dhënave javore, të prekurit e rinj shkuan në 5.501 persona, ose 18.9% më shumë nga java pararendëse kur ishin regjistruar 4.626 raste. Mesatarja ditore ishte në kuotën e 785 të infektuar.

Dita me numrin më të lartë ka qenë 5 dhjetori me 846 raste. Që nga nisja e pandemisë, numri i personave të prekur është 43.683 raste. Aktualisht, 20.581 janë ende raste aktive.

Java e shkuar shënoi dhe një kërcim të ndjeshëm të pozitivitetit (raportit mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) duke u ngjitur në nivelin e 35.4%, nga 30.3% që ishte një javë më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Në Itali, një vend i cili po përballet me një valë të dytë të fortë, pozitiviteti në javën e fundit luhatej mes 10-11%, më shumë se 3 herë më pak se Shqipëria.

Në ndryshim nga java pararendëse, (24-30 Nëntor), në 7-ditëshin e fundit është vënë re një numër më i vogël pacientësh në spitale. Por në ndërkohë, rastet e komplikuara që përfundojnë në terapi intensive ose të intubuar, thuajse janë dyfishuar.

©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *