• |
ide | kryesore

Gjermania dhe Finlanda riatdhesojnë 5 gra dhe 18 fëmijë nga kampet e Sirisë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjermania dhe Finlanda kanë riatdhesuar 5 gra dhe 18 fëmijë nga kampet siriane të Al-Hol dhe Roxh ku strehohen familjarë të militantëve të Shtetit Islamik. Ministritë e jashtme të të dy vendeve thanë se gratë dhe fëmijët u rikthyen këtë fundjavë për arsye humanitare. 3 nga gratë janë nën hetim me akuzën se kanë mbështetur ISIS, raportuan mediat gjermane.

Qindra evropianë që u bashkuan me ISIS janë tashmë në kampe të administruar nga kurdët në Sirinë veriore. Ata u zhvendosën atje bashkë me mijëra të tjerë pas shkatërrimit të ISIS në Siri dhe Irak në mars 2019.

Shumë prej tyre janë gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarë të ISIS ose simpatizantë të grupit xhihadist. Të shqetësuar për rrezikun e sigurisë që ata paraqesin, disa qeveri evropiane kanë hezituar të riatdhesojnë qytetarët e tyre nga kampe.

Rasti i Shamima Begum, nxënëses britanike e cila u bashkua me ISIS në 2015 që më vonë iu hoq shtetësia britanike për arsye sigurie, është një shembull i dukshëm. Por grupet e të drejtave të njeriut u kanë kërkuar qeverive që të marrin përsëri qytetarët e tyre, duke argumentuar se lënia e grave dhe fëmijëve në kampe i vë ato në rrezik sëmundjeje dhe radikalizimi.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha të dielën se ishte “shumë i lehtësuar që ishin në gjendje të riatdhesonin 12 fëmijë dhe 3 nëna nga kampet në Sirinë veri-lindore”. Maas tha se riatdhesimet ishin “raste humanitare, kryesisht jetimë dhe fëmijë të sëmurë” dhe nevoja e tyre “u konsiderua veçanërisht e nevojshme dhe urgjente”.

Ai tha se nuk ishte ligjërisht e mundur që të riatdhesoheshin fëmijët pa nënat e tyre. Mediat gjermane thanë se njëra nga gratë e kthyera u arrestua në Aeroportin e Frankfurtit nën dyshimin se ishte anëtare e ISIS. Prokurorët thanë se gruaja, nga shteti gjerman i Saksonisë-Anhalt, besohej se kishte udhëtuar në Siri në moshën 15 vjeç dhe u bashkua me ISIS.

Ndërsa revista gjermane Der Spiegel raporton se 2 gratë e tjera të kthyera po hetoheshin gjithashtu nën dyshimin e anëtarësimit në ISIS. Të tre gratë ishin “gra të xhihadistëve” të ISIS dhe “me shëndet shumë të dobët”, tha për agjencinë e lajmeve AFP një zëdhënës i zyrës së marrëdhënieve të jashtme të administratës kurde, Kamal Akif.

Në Finlandë, ministria e jashtme tha se kishte sjellë në shtëpi 6 fëmijë dhe 2 nëna. “Sipas kushtetutës, autoritetet publike finlandeze janë të detyruara të mbrojnë të drejtat themelore të fëmijëve finlandezë të internuar në kampe për aq sa kjo është e mundur,” tha ajo. Qeveria finlandeze vlerëson se më shumë se 9,000 gra dhe fëmijë të huaj, dy të tretat e tyre fëmijë, janë ende duke u mbajtur në kampet al-Hol dhe Roj në Sirinë veri-lindore.

Prej tyre, rreth 600 fëmijë dhe 300 gra janë shtetas të BE-së. “Kampet në Sirinë veri-lindore përbëjnë një rrezik afatgjatë të sigurisë,” shtoi ministria e jashtme finlandeze. “Sa më gjatë që fëmijët të qëndrojnë në kampe, pa mbrojtje dhe arsimim, aq më e vështirë do të jetë lufta kundër ekstremizmit radikal.” ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *