• |
ide | kryesore

Lëvizja VETËVENDOSJE në Shqipëri: Duhet të shkojmë përpara me kandidatë nga zgjedhësit

-Instant, Lajme, Të fundit
Lëvizja VETËVENDOSJE në Shqipëri propozon që kandidatë nga radhët e zgjedhësve të garojnë në 12 zonat zgjedhore të vendit duke i ofruar atyre edhe mbështetje.
Në reagimin e VETËVENDOSJE-s në rrjetet sociale si problematikë kryesore shfaqet mungesa e ndryshimit në Shqipëri në këto 30 vite demokraci, si dhe nënvizohet mungesa e shpresës e largimit të të rinjve nga vendi. Për këtë arsye, VETËVENDOSJE merr angazhimin për të mbështetur pjesëmarrjen në zgjedhje të personave prej radhës së zgjedhësve, të cilët mendojnë se kanë një vizion për ndryshimin e vendit.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do të angazhohet në mbështetje të iniciativave qytetare që çojnë përpara kandidatë nga zgjedhësit në cilëndo prej 12 zonave zgjedhore të vendit. Kriza në Shqipëri është thelluar dhe është e shumëfishtë, prej sistemit shëndetësor e arsimor te ekonomia dhe drejtësia. Një prirje e theksuar autoritarizmi ka instaluar në vend elementë të shtetit policor. Pabarazia ekstreme është rritur, ndërsa shteti i së drejtës nuk u ngrit kurrë këto 30 vite. Ata që i vuajnë më shumë pasojat e këtij sistemi brutal janë shtresa e mesme, të varfërit dhe njerëzit që jetojnë në periferi. Pabarazia në Shqipëri është edhe vertikale shtresore, edhe horizontale gjeografike. Sa më larg qendrës dhe sa më poshtë në mundësi ekonomike, aq më më brutal bëhet ky sistem ndaj qytetarëve.
Emigrimi nuk është zgjidhje, por është një nga shtigjet që ky sistem u tregon qytetarëve për të dalë nga varfëria. Kemi marrë prej kohësh vendimin të jetojmë në vendin tonë dhe të punojmë me sakrifica për një shndërrim të domosdoshëm e të shumëpritur. Jemi të vendosur ta ndryshojmë këtë sistem duke u dhënë qytetarëve një alternativë që të mos ndihen të detyruar të largohen. Jemi të bindur se do ta realizojmë këtë transformim me mbështetjen reciproke të bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë kontribuar aq shumë e që presin me padurim ndryshime rrënjësore në Shqipëri.
Kriminaliteti nuk mund të jetë opsioni i vetëm brenda vendit për të mposhtur varfërinë. Shtetit Policor i interesojnë bandat e kriminalizuara sepse ato i kontrollon më lehtë, i vendos në shërbim të pushtetit e kundër njëra-tjetrës për të siguruar jetëgjatësinë e autoritarizmit. Energjia e brezit të ri duhet bashkuar e duhet të ngadhnjejë mbi rrënimin e këtij sistemi shtypës për një zgjidhje të përbashkët për gjithë shoqërinë, jashtë kriminalitetit. Talenti dhe ëndërrat e brezit të ri duhen drejtuar tek transformimet ekonomiko-politike që çlirojnë e zhvillojnë gjithë potencialin e ndrydhur të këtij brezi.
Në secilën prej 12 zonave zgjedhore të Shqipërisë, qytetarët kanë të drejtën të bëhen bashkë për të propozuar kandidatë nga zgjedhësit. Nëntë qytetarë të një zone zgjedhore kanë të drejtën të çojnë përpara në KQZ kandidaturën për një deputet. Zyrtarizimi i kësaj kandidature bëhet përmes grumbullimit të 3.000 nënshkrimeve, duke nisur nga mesi i muajit janar 2021. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do të mbështesë të gjithë ata qytetarë, në cilëndo prej 12 zonave elektorale të Shqipërisë, që synojnë ta çojnë përpara këtë alternativë duke krijur një lëvizje më të gjerë shoqërore. Kandidatët mund të jenë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! por edhe qytetarë që nuk janë anëtarë e bashkohen në ngritjen e një lëvizjeje e cila e çan sistemin bipolar të këtyre 30 viteve dhe ndërthur çështjen kombëtare me luftën kundër pabarazive ekstreme.
Ndryshimet e fundit kushtetuese dhe ato në ligjin për Kodin Zgjedhor janë miratuar dhe imponuar nga shumica aktuale në pushtet me synimin për të favorizuar veten dhe për të penguar demokratizimin e mëtejshëm të vendit. Pragu i dyfishtë, lokal dhe kombëtar, synon veçanërisht bllokimin e inciativave qytetare që propozojnë kandidatë nga zgjedhësit, duke u kërkuar këtyre të fundit të kalojnë edhe pragun lokal edhe pragun kombëtar me votat e vetëm një zone elektorale. Ky kufizim nuk është në fuqi për partitë politike dhe për koalicionet që garojnë në zgjedhje. Këtë pengesë të padrejtë antidemokratike dhe antikushtetuese Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do ta sfidojë në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të nxitur e mbështetur kandidatët nga zgjedhësit që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk ka regjim që mund ta ndalë vullnetin e një populli”, shkruan Lëvizja VETËVENDOSJE në Facebook.



4 Comments

    1. Cili është “shteti i tyre”? Po Rama yt pse nuk merret me shtetin e tij defacto, që është Serbia? Se ai çirak i Vuçiçit është. Idiot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.