• |
ide | kryesore

Video/ Ismajli neutralizon Ibrën, Spezia mund kryesuesit e Milan

-Instant, Sport, Video



I lodhur, i ngadaltë, i pasaktë, i dominuar në një nivel fizik dhe taktik. I bllokuar aq keq saqë nuk ishte në gjendje të godasë portën as edhe një herë. Milan kthehet nga transferta në Liguria me kocka të thyera dhe tani janë të detyruar të shohin pas shpine. Kundër Lazios, në fakt, kushërinjtë zikaltër kanë shansin të marrin vendin e parë në renditje, saktësisht një javë nga ajo që, sidoqoftë, do të jetë një nga derbit më të pritur në vitet e fundit. Spezia e nisi aventurën e saj ‘Made in USA’ në mënyrën më të mirë të mundshme. Me një fitore të merituar, në një mbrëmje në mënyrë të pabesueshme me sens unik. Ajo e Italianos është një kryevepër e taktikës, stërvitjes atletike dhe shpirtit ekipor. Një makinë aq perfekte sa mundi të përballonte luksin e një ndryshimi të vetëm, 7 minuta nga fundi.

Vendasit e sulmuan Milanin që në momentet e para, pa i lënë asnjë hapësirë. Pas një fillimi disi të përgjumur, të besuarit e Piolit u përpoqën të marrin kontrollin e lojës, por zotërimi i topit mbeti steril për një kohë të gjatë: Saelemaekers dhe Leao u përpoqën të gjejnë hapësira mes linjave, Calhanoglu, nën presionin e vazhdueshëm të Riccit, humbi topa të shumtë dhe Ibra u detyrua shpesh të kthehet për ta marrë vetë topin. Ekuilibri mbeti në fuqi deri në fund të një pjese të parë taktikisht interesante, por pa shumë emocione.

Në fillim të pjesës së dytë, ishte akoma Spezia që u evidentua për sa i përket intensitetit, ndërsa ritmi i Milanit mbeti i ulët, manovra e parashikueshme dhe Ibrahimovic krejtësisht i izoluar. Presioni dërrmues dhe këmbëngulës i bardhezinjve u shpërblye në minutën e 57, kur Agudelo i rrëmbeu topin Theo Hernandez dhe nisi një kundërsulm të finalizuar nga Maggiore, që gjeti golin e tij të parë në Serie A. Pioli u mundua të zgjojë ekipin e tij duke revolucionarizuar mekanizmin me përfshirjen e Tomori, Meité dhe Mandzukic, por sapo u kryen lëvizjet, Spezia dyfishoi me anë të Bastonit. Shansi i vetëm i vërtetë për kuqezinjtë gjatë gjithë pjesës së dytë ishte në goditjen me kokë të Mandzukic në minutën e 92, por kroati dështoi. Para fishkëllimës së trefishtë, ka edhe kohë për një goditje të traversës nga Acampora, zëvendësimi i vetëm i mbrëmjes për Spezia. Imazh simbolik i një mbrëmje vërtet me sens unik.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *