• |
ide | kryesore

Nga fanella e Shilton, tek goli i anulluar Rrakllit: ja precedentët kuqezi me Anglinë

-Instant, Sport



Anglia është një superfuqi në botë, duke folur për futbollin, e përballjet e historisë me të janë natyrisht të vuajtura. Kundër kombëtares së Tre Luanëve precedentët për Shqipërinë janë katër, por të gjitha të humbura, edhe e fundit në Wembley 2-0 në shtator 2001.

Kurioz është fakti, se ekzaktësisht 20 vjet nga sot, Shqipëria priste Anglinë në Tiranë, në Qemal Stafa, në atë që do të ishte përballja e tretë mes dy formacioneve e ajo më elektrizuesja e historisë. Por le ti marrim me radhë.

Në kualifikueset e Botërorit 90, Shqipëria u shortua në grup me Anglinë e Linekerit dhe në 8 mars të viti 1989 e priti në shtëpi, duke dalë e mundur 0-2. Kthimi vonoi fare pak, në 26 prill ku në Wembley debutoi një 17 vjecar në portën kuqezi, pikërisht në stadiumin mitik, kundër kombëtares së vendit që shpiku lojën. Blendi Nallbani pësoi 5 gola në atë ndeshje, por në fund mori fanellën e Piter Shiltonit të madh, si inkurajim për atë që portieri tregoi në fushën e lojës.

12 vjet më pas historia përsëritet, por Anglia vinte në Tiranë me emrat e mëdhenj të David Beckham, Rio Ferdinand, Steven Gerrad, Michael Owen apo Emil Heskey. E megjithatë kuqezinjtë në atë ndeshje të mundur 1-3 në Qemal Stafa, mund të kishin marrë pikën e parë, nëse Rrakllit në minutën e jatër shtesë nuk do ti anullohej një gol për një pozicion të dyshimtë, shumë të dyshimtë, jashtë loje. Ndeshja në atë moment ishte 1-2 dhe në fund Anglia shënoi edhe të tretin. Ndërsa kthimi prodhoi një tjetër 2-0 që blindoi anglezët në krye të grupit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *