• |
ide | kryesore

Pesë goditje drejt portës në 180 minuta: kuqezinjtë e Rejas janë një zhgënjim i plotë

-Instant, Sport



Humbja me Anglinë shembi cdo pritshmëri që ishte ngritur mbi një grup lojtarësh të rinovuar, që njohin njëri-tjetrin, apo që luajnë të shpërndarë në klube të njohura të Europës. Jo për rezultatin vetë, sa për mënyrën e lojës me të cilën kuqezinjtë përballën kundërshtarin. Nuk është se duhej të fitonin kundër të besuarve të Southgate, është e qartë se anglezët janë në nivelin më të lartë të mundshëm si skuadër, por me vetëm një goditje në portë në 90 minutat e luajtura në Arena Kombëtare, me një modul loje të riprekur, me pesë ndryshime të bëra në krahasim me një ndeshje më parë, me ndërtimin e aksioneve që u bë e mundur vetëm kur Anglia hoqi dorë nga ndeshja me fitoren të siguruar, kuqezinjtë kanë bërë ndoshta performancën më të dobët të dekadës së fundit.

Mungesë identiteti, ku 3-5-2 është akoma larg nga të qenit efikas, ku mungon një regjist, ku mungon një qendër sulmues, ku mungon një golashënues. Mendonim se i kishim, mendonte ndoshta edhe Reja se i kishte, por e gjeti veten të shihte lojtarë që dorëzonin topin në kontrastin e parë, ku pasimet i bënin vetëm në ndërtimin nga poshtë, ku vertikalizimet ishin tabu e ku për ti dhënë një lloj krediti teknikut e lojtarëve se kundër anglezëve e luajtëm, shërbeu ndoshta vetëm ndonjë kundërsulm i bërë në pjesën e parë, pas së cilës u kapën fort lojtarët e u kap edhe më fort trajneri.

Ndoshta vërtetë mund të ndryshonte lojën, por nuk është aspak alibi e një skuadre jo funksionale, kundër Anglisë po e po, por edhe Andorras, ku kritikat i dribloi vetëm goli fitues i Lenjanit, pa shmanguir evidentimin se të rinjtë janë të drojtur e të ndryshur në një variant taktik që nuk po i jep më zgjidhje skuadrës, ku lojtarët më kualitativë si Kallaku, Roshi, sa për të përmendur dy, qendrojnë në stol e kur ata si Uzuni apo Broja thirren në cështje janë pa busull. Ashtu si hera herës duket edhe vetë Reja, që shpreson vetëm që San Marino të shërbejë për të qetësuar ambjentin dhe mbi të gjitha… idetë.



1 Comment

  1. Reja nuk ka ne dispozicion lojtar cilesor. Shumica e lojtareve te Shqiperise jane lojtar nen mesataren. Pritshmerite e publikut nuk jane reale e te logjikeshme. Lym Alla trajneri i kombetare ka pas nje shprehje: Me jipni miell misri e doni buke gruri!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *