• |
ide | kryesore

“E morëm me -16 pikë, tani jemi 5 pikë larg”: Shehi synon tani titullin kampion

-Instant, Sport



“Ndeshjet e lehta në letër, bëhen shumë të vështirë. Apolonia është kundërshtar shumë i vështirë, ndeshjet e fundit ka humbur me rezultatet të ngushtë, iu ka marrë pikë shumë kundërshtare, kur shënuam golin e katërt të pestë u qetësuam. Kur luan i fundit ndjen edhe rezultatet e kundërshtarëve”. Orges Shehi mund të qetësohet vetëm tani, pasi ka parë që të tijtë në pjesën e dytë e kthyen humbjen në goleadë. E megjithatë, tekniku i Tiranës mundohet të shpjegojë në të njëjtën kohë vështirësitë e të tijve kundër vendit të fundit në renditje.
“Kur të mungojnë 2 qendërmbrojtësit si Hoxhallari dhe Vangjeli – vazhdoi tekniku -, bëhet më e vështirë manovra. Në pjesën e dytë ndërruam rreshtim dhe u shprehëm mirë. Ishte modul që tentuam ta aplikonim gjithë javës, kishim dilemë ta nisnim me 3 apo 4”.

E vetmja notë stonuese në pasditen e begatë të Pashkës për Tiranën ishin golat e munguar të qendërsulmuesve, por që për Shehin nuk është një problem kaq i madh sa për tu menduar në këtë moment: “Vairinen nuk po përshtatet siç duhet, pasi vjen nga një vend me mentalitet tjetër. Taulanti na ndihmon shumë, vrapon ndihmon skuadrën. Një lojtarë si ai, do të doja ta kisha në çdo skuadër. Golin e Torasës ai e gatoi”.

Rikuperimi i cmendur i Tiranës vazhdon dhe tani jo vetëm Europa, por edhe titulli kampion është i mundshëm në kohën kur me 10 javë të mbetura duhen rikuperuar vetëm 5 pikë. Një ecuri që entuziazmon Shehin, me të drejtë, duke qenë se është trajneri i tretë që provon pankinën e nxehtë të Tiranës në këtë sezon që u duk katastrofik, por mund të përfundojë krejtësisht ndryshe: “Ne jemi brenda objektivave, do të synojmë majën. E kemi marrë skuadrën me -16 pikë, jemi 5 pikë mbrapa tani. Do të tentojmë me të gjitha mënyrat për tu ngjitur sa më lartë, duke pasur stofin e kampionit. Duhet të mendojmë ndeshjen e radhës për të menduar për objektivat madhore, për të cilat nuk heqim dorë” përfundoi tekniku bardheblu.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *