• |
ide | kryesore

“Titulli i ekzagjeruar, por asgjë ska mbaruar”: Shehi është pa limite pas fitores me Teutën

-Instant, Sport



“Ne jemi brenda objektivave, asnjë nuk ka mbaruar. Në dy ndeshjet e para duhet të merrnim pikë më shumë dhe mendoj se duhet të kishim më shumë pikë në renditje. Kjo ishte ndeshje personaliteti për të treguar se kush jemi. Duke fituar ndeshjet, objektivat janë më afër. Ka ndeshje plot, jo vetëm për ne, por për të gjithë skuadrat”. Orges Shehi nuk e fsheh dot pas fjalëve euforinë, për një fitore në shtëpinë e kryesuesve e me një performancë spektakolare, që e rikthen në lojë Tiranën e jo, në mos jo për titull, për Europë po.

Shehi ka dalë fitues në Niko Dovana, duke u pozicionuar 7 pikë larg kreut, në kohën kur në lojë janë edhe 21 pikë. E lehtë jo, por as e pamundur, duke patur në konsideratë se Tirana do të luajë direkt kundër të gjithë kundërshtarëve: “Të mendojmë për titullin është e ekzagjeruar, por nuk na pengon askush të kemi objektivat tona. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të ngjitemi sa më shumë në tabelë. Përballjet do të jenë direkt. Të gjitha janë brenda objektivave. Do të ketë dhe rezultate të papritura”.

Për sa i përket ndeshjes, Shehi ka treguar lëvizjen që i solli fitoren: bllokimi i dy pikave fondamentale të Teutës, Bregut e Aleksit: “E vendosa Torasën dhe Kalenë afër, sepse kombinojnë shumë mirë njëri me tjetrin. Bëmë mirë në fazën mbrojtëse. Bllokuam Bregun dhe morëm masa, për të mos e futur në lojë Aleksin. Duke bllokuar këto 2 pika, e kapëm shumë mirë në tranzicion. Këto ishin 2 pikat ku u foksuam më shumë”, u shpreh Shehi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *