• |
ide | kryesore

“Titullin e sjellin fitoret, Melo një gënjeshtar”: Daja i ekzaltuar nga dhjetë golat në tre ndeshjet e fundit

-Instant, Sport



“Kemi një moment të mirë, pavarësisht se kemi luhatje, kishim edhe sot, të cilat nuk janë të mira. Çdo ekip ka cilësi që të të hapë probleme. Gëzojmë një formë të mirë dhe ajo që është më e mira, është se po shënojnë sulmuesit”. Ilir Daja kërkon të mbajë me këmbë në tokë një skuadër që xhiron me 1000 km/h e në tre ndeshjet e fundit ka realizuar 10 gola, me të gjithë sulmuesit rregullisht në tabelën e shënuesve.

E megjithatë për titullin kampion Daja nuk pret dhurata nga askush, edhe pse Tirana këtë herë i ka bërë një favor jo të vogël, duke rrëzuar nga vendi i parë Teutën: “E rëndësishme është ajo që bëjmë ne. Është fitorja e tretë radhazi. Kemi entuziazëm në ekip. Na çliroi goli i parë i Jasir Asanit. E kërkuam fitoren nga fillimi deri në fund dhe nuk e vumë asnjëherë në diskutim. E dinim që Kukësi, mund të na sillte probleme, pasi është ekipi që ka shënuar më shumë. Këto ishin orientimet e stafit”.

Tekniku ka dashur të saktësojë edhe situatën në lidhje me brazilianin Melo. Raporti me lojtarin gjatë gjithë sezonit ka qenë me ulje e ngritje, por kur u duk se Melo fitoi besimin e Dajës, ka ardhur një tjetër përjashtim për wingerin: “Melo? Nuk i marr unë vendimet. Melo një ditë para ndeshjes me Kastriotin ka dalë nga stërvitja i dëmtuar. Ka bërë eko dhe sipas specialistëve, u zbulua se nuk vuante nga dëmtimi. Përderisa e gjeti kurajon që të gënjejë dhe të largohet, e ka marrë përgjigjen”, përfundoi trajneri i Partizanit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *