• |
ide | kryesore

Champions/ Përplasja e dy rebelëve: Real-Chelsea, sfida me shumë të panjohura

-Instant, F1, Sport



Një finale në lojë mes dy skuadrave që nuk janë vënë kurrë përballë në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Real Madrid e Chelsea do të kërkojnë mbrëmjen e sotme të heshin një hap drejt kualifikimit, kur të luajnë në Madrid gjysëmfinalen e e parë, për më tepër pas trazirave të shkaktuara nga cështja Super League. Të dy klubet janë nga ‘duzina e ndyrë’, por Blancos janë tani armiku kryesor i UEFA-s, bashkë me Juventus, ndaj dhe arbitrimi i kësaj ndeshje është një detyrë shumë e vështirë.

ARBITRAT E GJYSMËFINALEVE
UEFA ka bërë të ditur ndërkohë arbitrat që do të drejtojnë gjysmëfinalet e vajtjes në Champions League: për Real Madrid-Chelsea është caktuar hollandezi Danny Makkelie, ndërsa Paris Saint Germain-Manchester City (në program të mërkurën) do të gjykohet nga gjermani Felix Brych.

EFEKTI SUPER LEAGUE
Pas një jave të trazuar për shkak të Super League, Chelsea po përgatitet të luajë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër një prej “rebelëve” të tjerë, Real Madrid të Zinedine Zidane. Të dy trajnerët presin që ky fakt të mos ketë ndikim në fushë, edhe pse vështirë se situate nuk do të bëhet prezent: “Ishte një hipotezë, por e meritojmë të jemi në gjysmëfinale, ashtu si Real Madrid. Unë e di që ka probleme politike, por duhen zgjidhur pa prekur fushën dhe një kompeticion si ky“. Tekniku gjerman i Chelsea më pas u përpoq t’u drejtohej tifozëve, duke shpjeguar momentin jashtë fushës: “Një pronar klubi ndonjëherë merr vendime që jo të gjithë i ndajnë. Ne kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë edhe pse ata mund të jenë të zemëruar, unë mundem ti kuptoj, por ata nuk duhet të dyshojnë në dashurinë tonë për futbollin. Na duhet mbështetja e tyre që të kalojmë në finale”.

Edhe konferenca për shtyp në prag të përplasjes e Zinedine Zidane u fokusua në temën e Super League: “Kemi folur tashmë për këtë – tha trajneri i Real Madrid – Është absurde të mendosh për sanksione ose një përjashtim të mundshëm. Flitet shumë, ndoshta tepër dhe nuk mund ta kontrollojmë. Unë duhet të mendoj për fushën; padyshim, të gjithë duan ta shohim Realin në Champions League. Arbitri do të bëjë punën e tij dhe ne do të luajmë ndeshjen tonë. Nëse do të mendonim se gjithçka do të jetë kundër nesh, ne do të shkaktonim telash kot. Duhet të përqendrohemi tek ndeshja”.

TË REJAT NGA REAL MADRID
Madrid luan në gjysmëfinalen e Champions League për herë të nëntë në 11 sezonet e fundit, pasi ka fituar katër tituj në atë periudhë. Sidoqoftë, ata janë eliminuar në raundin e 16-të për dy sezonet e fundit. Në kërkim të lavdisë, Zidane do të ketë edhe mesfushorin e Real Madrid Toni Kroos. Gjermani është stërvitur me shokët e tij të skuadrës dhe do të jetë në dispozicion që nga fillimi për Real Madrid në mbëmje. Eden Hazard ka luftuar dëmtim pas dëmtimi në dy sezonet e tij që kur ka mbërritur tek Real i transferuar pikërisht nga Chelsea në verën e vitit 2019. Fantazisti belg më në fund është kthyer në gjendje, e me shumë mundësi duhet të jetë në fushë. Gjithmonë gjenial jashtë fushe, Chelsea e di mirë se si Hazard mund ti fitojë ndeshjet, falë zgjuarsisë dhe klasit të tij. Mbrojtja e hekurt e Tuchel do të testohet deri në kufij. (“Nuk e shoh në vështirësi, të shtunën u tregua i zoti. Jemi të lumtur që është kthyer, do të na japë një kontribut të madh”, ka thënë Zidane)

TË REJAT NGA CHELSEA
Mateo Kovacic do të humbasë përplasjen me Real Madrid për shkak të një dëmtimi muskular. Mesfushori kroat do të jetë gati të shtunën për ndeshjen e Premier League kundër Fulham. Blues gjithësesi do të kenë një skuadër të plotë për gjysëmfinalen e tyre të parë të Champions League nga 2014.

TEKNIKËT, DEKLARATAT
Në fushën e lojës, Chelsea duhet të sfidojë Real Madridin në Spanjë: “Kemi nevojë për një ndeshje të nivelit të lartë. Ata kanë aq shumë cilësi sa që mund të luajnë edhe me dhjetë lojtarë, por ne duhet të jemi të mirë për të mos e ulur vëmendjen në faza të ndryshme të lojës”. Si kundërshtar do të jetë ish-numri 10 Hazard: “Ai është një lojtar i shkëlqyer, te Chelsea ishte themelor dhe ka përvojë. Nëse luan, ai do të kërkojë të provojë diçka.”

Trajneri francez më në fund është përqendruar në fushë: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duam të garojmë në mënyrën më të mirë – tha Zidane – Do të jetë e vështirë sepse Chelsea është një ekip që sulmon dhe mbron mirë. Duhet të bëjmë kujdes prapa dhe të sulmojmë me rrezikshmëri. Do të kemi nevojë për versionin tonë më të mirë. Nuk zgjedhim mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve, jemi akoma gjallë në të dy kompeticionet. Kemi pasur shumë vështirësi por jemi ringritur. Ka ende një muaj ndeshje dhe sigurisht, do të hasim vështirësi siç ndodhi kundër Betis. Por ne duhet të japim gjithçka në fushë dhe të mendojmë se gjithçka është akoma e mundur “.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *