• |
ide | kryesore

“Dua Shqipërinë në Botëror”: Bare shkon larg me ëndërrat para miqësores me Uellsin

-Instant, F1, Sport



“Rezultati është shumë i rëndësishëm për skuadrën pasi të ngre moralin, por dua të them që edhe duhet të formojmë grupin, duhet të bëjmë ndeshje të mira, pasi në shtator na presin ndeshje shumë të vështira. Besoj se duhet të provohemi dhe t’ia arrijmë qëllimit, që të dalim me sukses”. Keidi Bare, mesfushori që aktivizohet në radhët e Espanjolit, që këtë sezon u ngjit në La Liga në Spanjë i konsideron shumë të rëndësishme dy miqësoret në transfertë. Kundër Uellsit e më pas Republikës Ceke kuqezinjtë do të kenë mundësinë të provojnë veten, përpara kualifikueseve të shtatorit. “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne, pasi në shtator kemi dy ndeshje edhe më të rëndësishme dhe do të provojmë veten tonë në këto dy sfida. Sa i përket mesfushës, them se jemi lojtarë shumë të rinj të gjithë, pavarësisht se në këto dy ndeshje kemi mungesa në mesfushë por jam 100% i bindur që si unë dhe lojtarët e tjerë do japin maksimumin në fushë, ashtu si në stërvitje” theksoi Bare.

Bare nuk është nga ata që impresionohen kur vjen puna për të shkuar larg me mendim. Pasi 5 vjet më parë kuqezinjtë shkuan për herë të parë në një finale kampionati europian, ndoshta ka ardhur koha të bëjmë përfaqësimin në finalet e një Botërori dhe mesfushori e mban këtë ëndërr me vete prej kohësh: “Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Kombëtarja shqiptare para disa vitesh arriti kualifikimin në Europian dhe pse mos të arrijmë edhe një kualifikim në Botëror, do ishte ëndërr për të gjithë shqiptarët, për futbollistët, për vendin tonë. Ne do japim maksimumin për të arritur këtë qëllim”.

Me Espanyol gjërat për mesfushorin shtatshkurtër po shkojnë mirë dhe ai shpreson që edhe me kombëtaren të ketë të njëjtin rrugëtim: “Duhet të punoj fort dhe të jem i fokusuar e t’i bëj gjërat mirë dhe pastaj të shohim se ç’do të ndodhë. Jam shumë më i pjekur pasi shumë lojtarë edhe në Kombëtare edhe tek Espanjol më kanë ndihmuar të rritem dhe e vlerësoj shumë këtë gjë – analizoi Bare -. Kam edhe 4 vite kontratë me Espanjol dhe jam shumë i lumtur sepse më kanë mbështetur dhe më duan të gjithë por tani jam në La Liga që e kam ëndërruar prej shumë kohësh. Shumë lojtarë e ëndërrojnë dhe unë tashmë jam pjesë e saj” përfundoi ish-mesfushori i Atletico Madrid.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *