• |
ide | kryesore

Lufta kundër kultivimit të kanabisit/ Kontrolle në ish-reparte ushtarake dhe banesa të braktisura

-Instant, Lajme, Të fundit



Policia ka vijuar kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Operacioni është zhvilluar në zonat e Tropojës, ku një person është shpallur në kërkim, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në njoftimin e policisë thuhet se kontrollet policore janë zhvilluar në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët dhe ish-reparte ushtarake.

“Si rezultat i kontrolleve janë konstatuar dy raste të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Salcë dhe në fshatin Padesh. Është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit M. D., autor i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Padesh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, në vijim të veprimeve hetimore u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit: M. D., banues në fshatin Salcë, me detyrë kryeplak i fshatit Salcë, A. Q., banues në fshatin Tetaj, me detyrë Inspektor për Pyjet dhe Mjedisin në Bashkinë Tropojë, J. T., banues fshatin Buçaj, me detyrë Inspektor për Pyjet dhe Mjedisin dhe shtetasi M. Q., kryeplak i fshatit Buçaj.

Vijon puna për identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *