• |
ide | kryesore

“Italia humbi solistin më të mirë, tani Allegrit i duhet një grup i vërtetë”: opinioni i Sacchit për ikjen e Ronaldos

-Instant, Sport



“Shkoi vërtet te Manchester United dhe jo te City?”. Pikërisht kështu. “Atëherë jam i lumtur sepse Cristiano Ronaldo nuk kishte shumë vend në ekipin e mikut tim Pep Guardiola. Ata luajnë futboll total dhe Ronaldo nuk është një lojtar për këtë stil futbolli, edhe pse ai është gjithmonë një fenomen”. Arrigo Sacchi analizon me objektivitet rrugën e Ronaldos në Itali dhe hipotezon mbi zhvillimet e tij në Premier League.

Serie A humbi një yll, nuk mendoni kështu?

“Humbet një solist i madh, ndoshta më i miri. Por futbolli është një sport që luhet me njëmbëdhjetë, ka rëndësi kolektivi. Individi nuk mund të fitojë nëse nuk ka ndihmën e të tjerëve. Maradona ishte më i madhi, jeni dakord? Epo, nuk e ka fituar kurë Kupën e Kampionëve? Apo jo”.

Por ai fitoi një Kupë Bote, pothuajse i vetëm, në 1986…

“Unë e di mirë, por më besoni: individi ka nevojë për ekipin, më shumë sesa ekipi ka nevojë për të. Ronaldo u ble për të fituar Ligën e Kampionëve, por Juve nuk e fitoi atë. Dhe a e dini pse? Ai trofe fitohet nëse ke një ekip në të cilin individët janë integruar në mënyrë perfekte dhe të gatshëm të sakrifikojnë veten për të tjerët. Përndryshe, eleminohesh në cerekfinale ose 1/8…”.

Si e gjykoni përvojën e Ronaldos në Itali?

“Më shkon në mendje se mund të kishte ardhur më herët, në kampionatin tonë. Në 2003 unë isha drejtori teknik i Parmës, ne i ofruam 12 milionë Sporting Lisbonës, por më pas Manchester United erdhi dhe shpenzoi 16 ose 17 dhe fitoi ankandin. Gjithsesi, Ronaldo bëri mirë te Juve, ai shënoi shumë. Ai, kur sheh portën, është një fenomen. Ai luan për këtë. Nëse ka një mundësi, ai të shënon dy gola. Por ai është një lojtar për skuadrat që nuk synojnë për një manovër kolektive”.

Tre trajnerë: së pari Allegri, pastaj Sarri e në fund Pirlo. Cili është Ronaldo më i mirë?

“Unë nuk kam vënë re dallime të mëdha. Ai gjithmonë bën të njëjtat gjëra dhe i bën ato në një nivel shumë të lartë. Logjikisht ai duhet të ushqehet, të prekë topin shpesh, të ketë mundësi për të goditur në portë. Për këtë ai duhet të jetë në një ekip që dominon fushën dhe është padron i sfidës ”.

Dhe tani çfarë ndodh me Juven?

“Këtë nuk mund ta di. Por di që është një transferim i dhimbshëm dhe se drejtuesit dhe trajneri do të duhet të punojnë për të siguruar që të mos mbetet shenjë”.

Skuadër e dobësuar?

“Le të kthehemi në diskutimin e zakonshëm: nëse mendoni se futbolli është një sport individual, po. Por nëse në vend të kësaj ne e mendojmë futbollin si një sport ekipor, atëherë unë them se nga kjo shitje mund të nxirren energji për një të ardhme edhe më të ndritur “.

Në çfarë kuptimi?

“Tani, pa Ronaldon, të tjerët do të duhet të bëhen edhe më shumë një grup. Ata do të kenë përgjegjësi më të mëdha. Askush nuk do të jetë në gjendje të thotë më: ‘Mendon Ronaldo për këtë!’. Oh jo: Ronaldo nuk është më, tani të tjerët duhet të marrin përgjegjësinë për lojën, për manovrën, për gjithçka. Dhe do të jetë mirë për Juve sepse ka mundësinë të bëhet një kolektiv i vërtetë në të cilin individët lartësohen, sepse ata janë integruar në mënyrë të përsosur në grup. Vetëm përmes këtij hapi themelor mund të arrijë të bëhet dominues në fushën evropiane “.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *