• |
ide | kryesore

Fiton, por privon lojtarët nga pushimi: Longo i merr ‘frymën’ Kukësit

-Instant, Sport



Fitorja e madhe kundër Vllaznisë, vetëm sa ka shtuar egon e Kukësit për rezultate me Diego Longon që nuk ka dashur të humbasë kohë për të nisur përgatitjet për sfidën tjetër të drejtpërdrejtë, atë kundër Dinamos. Si një italian i vërtetë, tekniku nuk dëshiron ti lërë asgjë rastësisë dhe ka preferuar ta vendosë skuadrën në pozita pune, duke e privuar madje nga dita e pushimit të zakonshëm pas një ndeshje. Kështu, nëse të gjithë ata që u përfshinë në 2-0 kundër kuqebluve kanë bërë dje punë të diferencuar më tepër për të evituar lodhjen e ndeshjes, të tjerët kanë punuar me ngarkesë të plotë. Ashtu si sot është stërvitur i gjithë grupi skuadër.

Lajmi i mirë nga infermieria është se edhe Dragoshi ka rikuperuar formën pas dëmtimit, duke u vënë në dispozicion të teknikut për ndeshjen kundër nëndetëses blu. Longo kërkon të ketë sa më shumë lojtarë me minuta në këmbë e për këtë arsye shfrytëzon edhe ndeshjet e U21, në të cilën do të përfshihen edhe Rrapo e Kërni. Për pjesën tjetër, asnjë i dëmtuar apo i skualifikuar me Kukësin që ka arritur një stabilitet taktik: veri lindorët kanë praktikisht sulmin më të mirë të kampionatit me 13 gola, aq sa edhe Vllaznia, diferencën ndaj të cilëve e bënë në ndeshjen direkte, por ajo që ka pëlqyer më shumë italiani është rikthimi te mbajtja e paprekur e portës, në tentativë për ti përmirësuar edhe shifrat defensive të një reparti që ka pësuar 8 gola në gjashtë ndeshje, por që ka lejuar vetëm dy më shumë se prapavija më e mirë e Superiores që është ajo e Tiranës kryesuese e Teutës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *