• |
ide | kryesore

Alfa Romeo zgjedh milionat e Zhou: i pari kinez në historinë e F1

-Instant, Sport



Lajmi dihej prej ditësh, por tashmë ka mbërritur edhe zyrtarizimi: Guanyu Zhou do të zëvendësojë Antonio Giovinazzi në drejtimin e Alfa Romeos dhe do të garojë përkrah Valtteri Bottas në Kampionatin e ardhshëm Botëror të Formula 1. Kinezi, ish-piloti i Ferrari Academy, është renditur i dyti në Kampionatin e Formula 2 dhe vjen në F1 me një sponsorizim të rëndësishëm prej 30 milionë euro dhe shtytjen e gjithë popullit kinez.

“Që kur hodha hapat e mi të parë në këtë sport, gjithmonë kam ëndërruar të arrij sa më lart – tha Zhou në momentin e nënshkrimit – dhe tani ëndrra është realizuar. Është një privilegj të kem mundësinë të filloj karrierën time në Formula 1 me një ekip ikonë si Alfa Romeo Racing, një ekip që ka sjellë kaq shumë të rinj të talentuar në debutimin e tyre gjatë gjithë historisë së tij. E di që më pret një sfidë shumë impenjative, por mendoj se jam i përgatitur dhe do të kem pranë në ekip një pilot të nivelit të lartë si Valtteri Bottas. Dua të falënderoj ekipin e Alfa Romeo Racing për këtë mundësi, qëllimi do të jetë të mësoj sa më shumë dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Jam i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të jesh piloti i parë kinez që ka mundësinë të garojë në Formula 1, është një pikë kthese e rëndësishme për të gjithë lëvizjen e motorsportit në vendin tim. Do të ketë shumë shpresa dhe pritshmëri dhe ky aspekt do të më ndihmojë të rris më tej motivimin tim për të arritur gjithnjë e më shumë”.

Drejtori i ekipit, Vasseur, më pas përshëndeti Giovinazzin: “T’i thuash lamtumirë një piloti nuk është kurrë e lehtë, veçanërisht në rastin e Antonios, i cili ka qenë pjesë e ekipit për kaq shumë kohë. Ndërsa ndahemi, do të mbajmë kujtimet e kohëve të mira dhe do të marrim leksione nga ato të këqijat, duke ditur që këto momente na kanë bërë të rritemi së bashku si ekip. I urojmë Antonios më të mirën për të ardhmen e tij pas sezonit 2021: para kësaj, ne kemi ende tre gara për të marrë disa rezultate të mira së bashku dhe për të përfunduar vitin në mënyrën më të mirë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *