• |
ide | kryesore

Broja, i frymëzuari nga Ronaldo që po magjeps Saints: nga topi i parë, te ‘mentori’ Flo në rrëfimin e BBC

-Instant, F1, Sport

Chelsea e bleu për 97.5 milionë paund Lukakun, që pritej të ishte pjesa e fundit e mozaikut drejt fitimit të titullit kampion. Por Lukaku ka vuajtur të bëjë impaktin e pritur, duke shënuar pesë gola në një sezon të ndikuar nga dëmtimet dhe skuadra e Thomas Tuchel tani gjendet 10 pikë larg Manchester City kryesues, kur ka luajtur një ndeshje më shumë. Belgu është ende shënuesi më i mirë i klubit këtë sezon, por ata kanë në listën e tyre një sulmues tjetër që e ka gjetur rrjetën po aq shpesh sa Lukaku. Megjithatë, në vend që të bëjë përshtypje në Stamford Bridge, ai po impresionon në bregun jugor të ishullit. Një produkt i akademisë së famshme të Blues, Armando Broja i lindur në Angli po shijon një periudhë të shkëlqyer huazimi te Southampton. 20-vjeçari ka pesë gola në 18 paraqitje – lojtari më i ri që ka arritur këtë shifër në sezonin aktual të Premier League – me sulmuesin që po korr shpërblimet e një vendimi për të kaluar këtë sezon si huazim te Saints. I çmendur pas futbollit që kur ishte fëmijë duke parë golat e legjendës braziliane Ronaldo, Broja po jeton ëndrrën e tij në skenën e madhe pasi u shfaq si një nga talentet e spikatura të sezonit.

I FOKUSUAR DHE I QARTË QË FËMIJË
I lindur në Slough nga prindër shqiptarë, futbolli ka qenë pjesë e jetës së Brojës prej aq kohe sa ai mban mend. Ai luante rregullisht me kushërinjtë, mamanë dhe tezen në park kur ishte i vogël, dhe ndërkohë që ishte pjesë e ekipeve të të rinjve të klubeve profesioniste, babai i tij e merrte në seanca stërvitore shtesë, një kundër një, pasi mbaronte punën. Broja ishte tepër i qartë edhe si fëmijë dhe në moshën gjashtë vjeçare kishte ambicie të luante për më të mirët e më të mirëve. “Unë shkova në disa prova me Reading,” tha ai në një intervistë në 2019. “Aty shkoi mirë dhe më pëlqeu, por në atë kohë po kërkoja një klub më të madh”. Një periudhë e shkurtër në akademinë e Fulhamit pasoi përpara se të vinte një moment kyç në zhvillimin e tij të hershëm kur ai u pa nga një skaut i Tottenhamit duke luajtur në një turne me skuadrën e tij lokale Burnham Juniors. “Ai [skauti] në fakt erdhi për të parë një lojtar tjetër në ekipin tim, por unë përfundova duke fituar cmimin e lojtarit të turneut dhe ai më mori mua në vend të tij, kështu që unë shkova te Tottenham dhe firmosa për ta”, tha Broja. Por edhe te Spurs, ajo dëshirë nuk e la të qetë. Një tifoz i madh i Chelsea, ai do të bënte gjithçka që mundej për të rënë në syrin e kundërshtarëve sa herë që dy klubet londineze luanin me njëri-tjetrin. “Ne luajtëm shumë me Chelsean dhe ata me të vërtetë më pëlqyen si lojtar dhe atëherë u bashkua me akademinë e tyre”, shtoi ai.


I FRYMËZUAR NGA RONALDO E ME ‘MENTOR’ FLO
Armando Broja ndiqte veprimet e legjendës braziliane Ronaldo teksa rritej dhe më vonë u ndihmua nga ish-sulmuesi i Chelsea, Tore Andre Flo. Ashtu si shumica e lojtarëve të rinj, Broja ka marrë frymëzim nga një numër lojtarësh që i ka parë duke u rritur. Një nga kujtimet e tij më të hershme te Chelsea ishte të shihte Didier Drogba të shënonte, ndërsa babai i tij i vendoste video të legjendës braziliane Ronaldo kur ai ishte fëmijë. “Ai ishte thjesht një lojtar i pabesueshëm”, tha Broja. “Kam parë shumë nga klipet e tij. Ai ishte i fortë, i shpejtë, me të dy këmbët, kishte gjithçka. Ky është ai që unë aspiroj të jem”. Broja iu bashkua Chelsea në vitin 2009 dhe kaloi 11 vitet e ardhshme duke përparuar në radhët e klubit. Pasi shënoi 18 gola në 30 paraqitje në nivelin e të rinjve në sezonin 2019-2020, atij iu dorëzua kontrata e tij e parë profesioniste në shkurt 2020 dhe e ndoqi menjëherë debutimi në skuadrën e parë më 8 mars, kur trajneri Frank Lampard e hodhi në fushë 18-vjeçarin në katër minutat e fundit të fitores 4-0 kundër Evertonit. Ashtu si shumë para tij, Broja u dërgua më pas për të fituar më shumë përvojë me një huazim për një sezon në skuadrën holandeze Vitesse, me ish-sulmuesin e Chelsea, Tore Andre Flo, i caktuar si mentori i tij gjatë kohës së tij jashtë vendit. Të dy bisedonin rregullisht ndërsa Broja ishte në Holandë, me Flo që jepte këshilla e udhëzime pas çdo ndeshje që luante. Lëvizja rezultoi e suksesshme pasi ai shënoi 11 gola në 34 paraqitje, duke e bërë atë një nga adoleshentët golashënues më të mirë në ligat kryesore të Evropës.

SHQIPËRIA PARA ANGLISË
Broja e ka kaluar gjithë jetën e tij në Angli, por me prindërit e tij nga Shqipëria, ai zgjodhi t’i përfaqësonte ata kur u shfaq mundësia. Vendimi i tij mund të jetë ndikuar edhe nga fakti se nuk ka pasur ndonjë interes nga Anglia në nivel të të rinjve, kështu që në maj 2019 ai u thirr për skuadrën e Shqipërisë U-19. Broja shënoi në debutimin e tij – golin e tretë në fitoren 3-1 në miqësoren ndaj Kosovës – dhe gati një muaj më vonë ai u ngjit në U-21, duke lënë përsëri përshtypje menjëherë me një dygolësh në debutimin e tij në atë nivel, në fitoren 2-1 ndaj Uellsit pasi hyri si zëvendësues në pjesën e parë. Përparimi ndërkombëtar i të riut ishte sa mbresëlënës aq edhe i shpejtë. Ai tani ka 10 ndeshje në ekipin e parë dhe ka shënuar tre gola gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës, duke përfshirë golat vendimtarë në fitoret 1-0 kundër dy herë finalistëve të Kupës së Botës, Hungarisë.

SI I BINDI SAINTS
Pasi shijoi një sezon të plotë të futbollit të të rriturve, Broja ishte gati për më shumë, por me një vend në ekipin e parë të Chelsea që nuk kishte gjasa, ai shfrytëzoi mundësinë për t’u bashkuar me Southampton në një huazim për një sezon, në gusht, për të fituar më shumë minuta në nivelin e Premier League. Duke pasur parasysh gatishmërinë e Ralph Hasenhuttl për t’i dhënë një shans të rinjve – ai u ka dhënë disa adoleshentëve debutimin e tyre në Premier League në tre vitet e tij si teknik i Saints – ishte lëvizja e duhur për Brojan, që ka lulëzuar te Saints.

LOJTARE              NDESHJE     GOLA
Armando Broja              18              5
Romelu Lukaku             16              5
Timo Werner                  11              1

Pas një fillimi të ngadaltë, Broja është gjallëruar me të vërtetë dhe ka 10 gola mbresëlënës në 25 paraqitje për klubin dhe kombëtaren, dhe forma e tij në një fazë kampionati bëri që disa tifozë të Chelsea të bënin thirrje që ai të tërhiqej për të sfiduar Lukakun dhe Timo Werner për një vend titullari në sulm. Ai impresionoi edhe kundër Manchester City të shtunën, duke treguar aftësitë e tij para portës që fatkeqësisht u ndaluan për pozicion jashtë loje. Me afrimin e ditës së mbylljes së afatit të transferimeve, Southampton dëshiron të nënshkruajë përfundimisht me të riun, por një lëvizje e tillë, të paktën në afat të shkurtër, do ta bënte që tifozi i përjetshëm i Chelsea të vendoste mënjanë ëndrrën e tij për të bërë emër për veten e tij në të adhuruarin Stamford Bridge.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu