• |
ide | kryesore

FOTO/ Kongo fitoi Kupën e Afrikës për shkolla, por plasin dyshimet për mashtrim: “Janë vërtetë 15 vjeç?”

-Instant, Sport



FIFA, në orët e fundit, ka përgëzuar skuadrën U 16 të Republikës Demokratike të Kongos për fitimin e African School Champions Cup, por nuk mungojnë polemika. Në fakt, skuadra fituese akuzohet për mashtrim, ose më saktë, shumë venë në pikëpyetje moshën e lojtarëve.

Turneu dyditor u zhvillua gjatë fundjavës në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos. Gara u organizua nga FIFA me qëllim promovimin e zhvillimit të futbollit në kontinentin afrikan. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mori pjesë në finale dhe ia dorëzoi trofeun ekipit fitues dhe, në një intervistë, vlerësoi mbajtjen e një turneu të suksesshëm.

Vendasit mundën 3-1 Senegalin në finale dhe fituan trofeun, por festa nuk zgjati shumë. Madje, nga shumëkush është kërkuar që të kontrollohet mosha e lojtarëve. Federata Ndërkombëtare ka postuar në faqen e saj zyrtare një video me intervistën e Infantinos dhe pamjet e ceremonisë së fitores, por asnjë plan nga afër të lojtarëve. Megjithatë, disa foto të ngjarjes qarkullojnë në internet dhe dyshimet janë të shumta.

“Unë jam një njeri i lumtur sonte – tha Infantino – Të shohësh ata fëmijë të buzëqeshur, djem dhe vajza, me gëzim në sytë e tyre është e mrekullueshme. Kjo është bukuria e futbollit. Republika Demokratike e Kongos bëri një punë të shkëlqyer duke organizuar këtë event, i cili është edicioni i parë i një kompeticioni fantastik që do të bëhet një nga më të mëdhenjtë jo vetëm në Afrikë, por edhe në mbarë botën.”

Infantino është i lumtur, por polemikat nuk mungojnë. A janë vërtet fituesit nën 16 vjeç? Gazetari afrikan i futbollit, Thomas Kwenaite, mendon se jo: “Nuk duhet të jesh shkencëtar për të parë se ka të bëjë me truke për moshën, ata po maskohen si 15-vjeçarë. Ndoshta e kam gabim, por gjuha e trupit të tyre sugjeron që thellë brenda vetes e dinë se ajo që po bëjnë është krejtësisht e gabuar dhe është turp të shtiresh 14 dhe 15 vjeç kur në realitet po i afrohen të 40-ave dhe moshës së pensionit”.

Kwenaite më pas i bëri thirrje organizmit botëror të futbollit që të hetojë këtë çështje: “FIFA gjithashtu duhet të ulë kokën me turp për lejimin që ky mashtrim flagrant të vazhdojë”. Gazetari nuk është i vetëm që kërkon qartësi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *