• |
ide | kryesore

Çmimet e pijeve alkoolike rriten 5-30% nga shtrenjtimi i akcizës, energjisë dhe ambalazhimit

-Instant, Lajme, Të fundit



Nga 1 janari 2022 çmimet e pijeve alkoolike vendase dhe të importit u shtrenjtuan nga 5 deri 30%. Rritja më e lartë ishte te pijet alkoolike vendase. Prodhuesit pohojnë se arsyet e shtrenjtimit janë nga rritja e çmimit të energjisë dhe të materialeve ambalazhuese në tregjet e huaja. Ndërsa importuesit thonë se ndikimi është nga shtrenjtimi i pijeve alkoolike nga kompanitë e huaja, tarifat e transportit dhe rritja e akcizës 3% nga 1 janari 2022. Ashtu edhe siç kishin paralajmëruar dhjetorin e vitit të kaluar, kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga 1 janari ka rritur çmimet e pijeve alkoolike 30% më shumë se vjet. Drejtori i Përgjithshëm i kantinës Denis Zhilla thotë se arsyet e rritjes të çmimeve janë shtrenjtimi i energjisë, karburantit, i qelqit, plastikës dhe materialeve të tjera të ambalazhimit.

“Çmimi i qelqit është rritur 20% më shumë se 2020, materialet e kartonit dhe letrës janë shtrenjtuar 15%, tapa dhe plastika 10%. Shqetësuese është edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 15 lekë/kwh në 41 lekë (me TVSH). Për të zbutur rritjen e kostove të prodhimit do të ishte e domosdoshme që nga qeveria të subvencohej tarifa e shtuar e çmimit të energjisë”, pohon z. Zhilla.

Më herët edhe nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkuan kompensim për rritjen e çmimit të energjisë për prodhuesit e industrisë ushqimore të lidhur në tensionin nga 35 deri 110 kilovat. Rritja e çmimeve ka ndikuar te rënia shitjeve. Për periudhën janar-shkurt shitjet e kompanisë janë tkurrur 35% krahasuar me vjet. Operatorë të tjerë të tregut pohojnë se kjo situatë do të rrisë informalitetin e tregtimit të pijeve alkoolike në vend. Informaliteti, sidomos i tregtimit të rakisë, vijon të jetë problem për kompanitë e licencuara. Për shkak të stokut të krijuar vjet dhe informalitetit kantina e pijeve “Skënderbeu” këtë vit e nisi prodhimin me 20% se 2021.

Rritje të çmimeve këtë vit pati edhe për pijet alkoolike të importit. Përfaqësues të distributorit “Agna Group” thanë se çmimet e pijeve të importit u rritën 5 deri 10% më shumë. Ndryshimet sipas tyre erdhën nga shtrenjtimet e çmimeve nga kompanitë e huaja dhe transportit si dhe rritja 3% e akcizës.

Nga 1 janari 2022 hynë në fuqi ndryshimet në ligjin “Për akcizat” që parashikojnë indeksim çdo 2 vjet në masën zyrtare të inflacionit t për 2 vitet paraardhëse shpallur nga INSTAT-i, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij, për të cilat akciza aplikohet sipas kalendarit specifik. Ndryshimet përcaktonin se për vitin 2022 akciza indeksohet në masën e normës zyrtare të inflacionit të vitit 2020 dhe 9-mujorit tё vitit 2021. Për muajin janar 2022 prodhimi vendas është rritur 17% më shumë se 2021, ndërsa është më i ulët se periudha para krizës. Importet e janarit 2022 janë rritur 47% krahasuar me vitin e kaluar sipas të dhënave të doganave. Në 2021 prodhimi vendas i pijeve alkoolike u ul 24% në raport me 2020, ndërsa importet u rritën 33%./MONITOR

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *